Presidenti Pahor kërkoi nga deputetët që ta miratojnë demarkacionin

Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor gjatë fjalimit të tij në Kuvendin e Republikës së Kosovës ka kërkuar nga deputetët që t’i zgjidhin të gjitha mosmarrëveshjet, madje edhe ato me kufirin.

“Unë e kuptoj kompleksitetin e kësaj çështjeje. Unë si një mik i juaji ju rekomandoj që të mos hezitoni ta miratoni marrëveshjen. Unë e di se sa është e vështirë për ju, për Parlamentin, por nuk ka mënyrë tjetër, nëse ne duam të arrijmë stabilitet në rajon”, ka deklaruar Pahor.

“Erdha në Kosovë si mik, si president i një shteti që ka marrëdhënie të mira me shtetin e juaj. Unë erdha në prag të 10-vjetorit të pavarësisë që ne të forcojmë marrëdhëniet e mira. Pranoni urimet e mia më të sinqerta për të ardhmen e juaj të ndritur. Sllovenët dhe kosovarët e kuptojnë sakrificën e vendeve tona drejt pavarësisë”, ka thënë ai.

“Unë erdha në Kosovë si mik i kosovarëve dhe serbëve dhe të gjithë minoriteteve që jetojnë këtu. Unë si mik i juaj ju inkurajoj që të vazhdoni bisedimet dhe të respektoni marrëveshjet, kjo është e rëndësishme për një stabilitet politik në të gjithë rajonin dhe në veçanti për Ballkanin Perëndimor”, ka deklaruar presidenti slloven.