Presidenti Thaçi e Kryeministri Haradinaj e urojnë Gjukanoviqin

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi përmes profilit të tij në rrjetin social Twitter ka uruar presidentin e ri të Malit të Zi, Milo Gjukanoviq.

“Urime mikut tim të vjetër, Milo Gjukanovic për fitoren e tij në Mal të Zi. Kjo është një fitore për Malin e Zi, por edhe për gjithë rajonin që aspiron integrimin në NATO dhe BE”, ka shkruar Thaçi.

Ai më tutje ka shkruar që pret një bashkëpunim për rritjen e bashkëpunimit ndërmjet dy popujve.

Edhe Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka uruar Milo Gjukanoviq, për rezultatin pozitiv në zgjedhjet presidenciale të Malit të Zi, ku, sipas rezultateve të para, Gjukanoviq ka fituar me rreth 54 për qind të votave.

“Urime qytetarëve të Malit të Zi për zgjedhjet e lira e demokratike presidenciale. Po ashtu, i uroj fitoren presidentit të zgjedhur, Milo Gjukanoviq”,  ka shkruar Haradinaj në Facebook.

“Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh gatishmërinë për bashkëpunim dhe avancimin e marrëdhënieve të mira me Republikën e Malit të Zi edhe në të ardhmen, në të mirë të të dy popujve tanë, për perspektivën euro-atlantike”.