Presidenti Thaçi ia kthen letrën Trumpit

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ia ka kthyer letrën që i kishte dërguar më 14 dhjetor presidenti i SHBA-ve, Donald Trump.
Burime të lajmi.net nga presidenca kanë bërë të ditur se Thaçi qysh në fillim të vitit 2019 ia kishte kthyer letrën presidentit amerikan.
Siç ka bërë të ditur ky burim, shumë shpejt Thaçi do ta bëjë publike përmbajtjen e kësaj letre.
Kujtojmë, se në letrën e Trump-it dërguar presidentit Thaçi ishte kërkuar nga ky i fundit si dhe nga liderët e Kosovës që të shfrytëzohet ky moment për arritjen e marrëveshjes finale me Serbinë.
“Dështimi për të përfituar nga kjo mundësi unike do të ishte një kthim tragjik mbrapa, sepse një mundësi tjetër për marrëveshje paqësore gjithëpërfshirëse, vështirë se do të mund të përsëritet për një kohë të gjatë”, kishte shkruar Trump.
Në këtë letër po ashtu përmendej se SHBA-të kanë investuar shumë për suksesin e Kosovës si një shtet i pavarur dhe Sovran.