Presidenti Thaçi nuk e dekreton Radomir Labanin për gjyqtar, do të kërkojë verifikim shtesë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk do ta dekretojë Radomir Labanin për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.
Zyra për informim e Presidencës ka thënë për Radio Evropa e Lirë se dekretimi nuk do të ndodhë deri në kryerjen e një verifikimi të plotë nga organet e drejtësisë.
“Mund ta konfirmojmë se për shkak të dyshimeve të ngritura për të kaluarën e z.Laban, Presidenti i Republikës së Kosovës nuk do ta bëjë dekretimin e tij, derisa organet kompetente të sigurisë dhe drejtësisë nuk e bëjnë verifikimin e plotë”, thuhet në përgjigjen e Presidencës.
Radomir Laban u propozua nga Lista Serbe për të qenë gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, derisa deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan zgjedhjen e tij në këtë pozitë.
Laban është dënuar nga autoritetet serbe me gjashtë vjet burgim nën akuzën për marrje ryshfeti.
Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar nga presidenti Hashim Thaçi që të mos e dekretojë Radomir Labanin në pozitën e gjyqtarit.
Kërkesë të tillë ka bërë edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, duke kërkuar një verifikim të së kaluarës së tij.

Lini një Përgjigje