Presidenti Thaçi: Serbia po provokon me Asociacionin

0
195

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar pas paralajmërimeve të zyrtarëve serb për formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Thaçi nëpërmjet një deklarate për medie, ka bërë thirrje që të respektohet dhe të ruhet fryma e dialogut në mes Kosovës e Serbisë.
Në këtë kontekst, ai ka thënë se ka biseduar me kryediplomaten e Bashkimit Evropian (BE), Federica Mogherini.

Deklarata e plotë për medie e presidentit Thaçi:

Pikërisht në ditën kur institucionet e Kosovës filluan punën për krijimin e Grupit Punues të gjerë institucional, që do të bashkëpunojë me Ekipin Menaxhues dhe me Misionin e OSBE-së në Kosovë për draftimin e Statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndodhi provokimi nga shteti i Serbisë.
Këtë e konfirmon edhe vendimi i sotëm për daljen e Listës Serbe nga institucionet e Kosovës.
Zhvillimet e së hënës, më 26 mars 2018, janë në kundërshtim me angazhimet për dialog dhe për ndërtim të paqes së qëndrueshme në Kosovë, si dhe cenim i përpjekjeve për normalizim të raporteve në mes Kosovës dhe Serbisë.
Bëj ftesë që të respektohet dhe të ruhet fryma e dialogut në mes Kosovës e Serbisë dhe të mbesim të fokusuar në normalizimin e marrëdhënieve, në ndërtimin e fqinjësisë së mirë dhe pajtim.
Sot bisedova përsëri me përfaqësuesen e lartë të BE-së, Federica Mogherini, me të cilën edhe një herë u pajtuam për nevojën e uljes së tensioneve, sepse dialogu nuk ka alternativë dhe të gjithë duhet të fokusohemi në rrugën përpara.
Përfaqësuesja e lartë e BE-së më njoftoi se sot do të udhëtojë në Beograd për të takuar presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për t’ia bartur edhe atij mesazhin e njëjtë se dialogu dhe pajtimi janë e vetmja rrugë përpara.
Kosova mbetet e përkushtuar për sundim të ligjit në tërë territorin e saj dhe do të kërkojë gjithmonë që të gjithë t’i respektojnë ligjet e Kosovës.
Më vjen keq që ngjarjet e djeshme kanë trazuar paqen dhe kanë shqetësuar të gjitha komunitetet e Kosovës, por i ftoj të gjithë që ta ruajnë arsyen.
Derisa policia ka treguar profesionalizëm në punën e saj, e përshëndes edhe reagimin e institucioneve të shtetit, veçanërisht të Ministrisë së Brendshme dhe të Policisë së Kosovës që kanë reaguar me kohë, si dhe gatishmërinë e tyre që të shqyrtojnë dhe të vlerësojnë me profesionalizëm dhe përgjegjësi të lartë të gjitha zhvillimet e ditës së hënë, 26 mars 2018, të lidhura me hyrjen ilegale të Marko Gjuriqit në Kosovë.