Procedohet në Kuvend projektligji i kërkuar nga SBASHK-u, pritet anulimi i grevës

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur sot ka proceduar në Kuvend projektligjin për statusin e punëtorëve të arsimit shqip në Kosovë nga viti shkollor 1990/91 deri në vitin 1998/99.
Ministri i Arsimit Shyqiri Bytyqi tha se kostoja financiare është 6 milionë euro në vit.
Megjithatë kundër këtij projektligji foli edhe ministri i Financave, Bedri Hamza i cili tha se nuk është menduar mirë dhe se duhet të saktësohet ky projektligj.
“Ministria e Financave (MF) për shkak të evidencave të pasakta e kemi pasur të vështirë të dalim me një shifër reale por të përafërt. MF-ja nuk është për me ndal këtë çështje, por kërkesa e ministrisë është që të futet shuma e saktë e implikimeve buxhetore pasi sipas tij nuk është e saktë se vetëm 6 milionë do të jenë në vit”, tha Hamza.
Projektligji kaloi me shumicë votash, një kundër nga ministri Bedri Hamza si dhe tri abstenime. Kryeministri i vendit Ramush Haradinaj pas kalimit të projektligjit tha se kushtet u plotësuan që fëmijët të shkojnë në shkolla dhe të vazhdojnë testin “Pisa” që është shumë i rëndësishëm për Republikën e Kosovë
Ndryshe, SBASHK ka kërcënuar me grevë nëse ky projektligj nuk dërgohet për miratim në Kuvend dhe tash pritet anulimi i kësaj greve të paralajmëruar për 13 prill.