Progresi i Shqipërisë duhet njohur dhe pranuar

Që prej qershorit të viti të kaluar Shqipëria ka bërë progres thelbësor në lidhje me reformën në drejtësi, si dhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe kultivimit të kanabisit.

Kështu deklaroi sot në Tiranë Komisioneri për Migracionin, Punët e Brendshme dhe Shtetësinë të Bashkimit Europian, Dimitris Avramopoulos, në konferencën e përbashkët për shtyp me drejtorin ekzekutiv të FRONTEX, Fabrice Leggeri dhe Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

“Ky progres duhet njohur dhe duhet pranuar. Por ky progres, kjo ecuri dhe ky përparim duhet të vazhdojë të jetë i qëndrueshëm”, tha ai duke shtuar se “punë duhet ende në vazhdimësi për të ulur numrin e aplikimeve të pabaza për azil në shtetet e BE-së”.

Komisioneri Avramopoulos u shpreh se “jam vërtet i kënaqur që shikoj angazhimin e autoriteteve shqiptare për të arritur këtë synim”./atsh/