Projektligji për Pagën Minimale/ Veteranët paralajmërojnë protesta, deputetët me qëndrime të ndryshme

Projektligji për Pagën Minimale i cili po pritet të sillet në Kuvend për lexim të dytë, pritet të përcillet me protesta.

Kjo për shkak të pakënaqësive që kanë nga Organizata e Veteranëve të Luftës me këtë Projektligj.

Ata po kërkojnë që të jenë pjesë e këtij ligji dhe rritjes që parashihet.

Xhavit Jashari nga Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve për Front Online ka thënë se nuk do të lejojnë që të shkelet më dinjiteti i veteranëve.

“Nëse ndodh kjo, më e vogla do të jetë me reagime tona, qoftë me protesta, nuk do të lejojmë që të shkelet më tutje dinjiteti i veteranëve. Jo, nuk kemi biseduar, por mesazhin tonë besoj e kanë marrë Qeveria, që nuk lejohet tutje të luhet me këto kategori, sepse po nëpërkëmbet dinjiteti i veteranëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha ai për Front Online.

Megjithëse është paralajmëruar se ky Projektligj do të sillet në Komisionin për Buxhet të mërkurën, nuk është konfirmuar pavarësisht tentimeve të mediumit.

Kohën nuk e di as anëtari i këtij Komisioni, Pal Lekaj, aktualisht deputet i AAK-së.

“Projektligji është në mesin e leximeve të komisionit që një vit. Nuk e dimë kur do të shqyrtohet dhe çfarë kahje do t’i jap shumica”, tha ai.

Megjithatë, si parti, Lekaj thotë se e kanë një kërkesë të tyre, por nuk është optimist se do të përkrahet në Kuvend.

“Ne si AAK, kemi gjithashtu amandamentin e dytë, ku kemi kërkuar që deri në kategorizimin përfundimtar të listës së Veteranit Luftëtar të UÇK-së, Pensioni i Veteranit Luftëtarë të UÇK-së, të jetë i barasvlershëm me pagën minimale”, tha ai.

Ai thotë se nuk e dinë ende nëse do ta votojnë projektligjin e pagës minimale që parasheh 250 neto.

“Nuk e dimë se a do të përkrahet kjo kërkesë e jona nga deputetët e Kuvendit. Nëse nuk përkrahet kërkesa jonë për pagë minimale në 370 euro dhe nëse nuk hyjnë veteranët në këtë rritje të pensionit, nuk e dimë a do të votojmë idenë e pagës minimale 250 euro pasi kjo shumë nuk plotëson as për së afërmi kërkesat dhe nevojat bazike të jetesës së qytetarëve!”, u shpreh ai.

Se duhet të sillet tanimë në Kuvend ky Projektligj e thotë edhe njëri deputet i pushtetit.

Artan Abrashi për Front Online tregoi se e kanë të njëjtin qëndrim për këtë Projektligj.

“Patjetër që po. E presim që sa më shpejt me ardh ligji për pagën minimale, është domosdoshmëri. Mbi 100 mijë njerëz në Kosovë që e kanë pagën nën 250 euro dhe që po presin hapa konkret për këtë punë”, tha ai.

Madje për këtë ndasi, Abrashi thotë se fajtor është PDK-ja.

“Kjo ndarje është bërë në kohën e PDK-së, e veteranëve dhe pagës minimale, duhet me thirr deputetët e PDK-së me i pyet sepse është bërë kjo ndarje, dhe pse po e fajësojnë Vetëvendosjen për diçka që e keni bërë ju”, u shpreh ai.

Ndërsa, Faton Klinaku që aktualisht është ushtrues detyre i kryetarit në OVL UÇK, njofton se të mërkurën do të paraqitet në komisione paga minimale dhe sipas tij, do të bëhet përpjekje që me përkrahjen e komisionit të hiqen veteranët në rritjen e pagës minimale.

Paga minimale në Kosovë aktualisht sillet prej 130 deri në 170 euro.

Projektligji i ri parasheh që ajo të rritet në 264 euro bruto, apo 250 euro neto.

Projektligji është kundërshtuar nga disa parti opozitare, të cilat kanë kërkuar që paga minimale neto të rritet në 370 euro.

Lini një Përgjigje