Prokurorët special po merren me 974 lëndët e trashëguara nga EULEX-i

Në qershor të vitit të kaluar misioni i EULEX-it përfundoi mandatin në Kosovë.
Ky mision po vazhdon të qëndrojë ende në vendin tonë mirëpo nuk ka kompetenca ekzekutive. Ai është mekanizëm mbikëqyrës dhe këshillues për institucionet të cilat e zbatojnë ligjin.
Ndërsa lëndët me të cilat ishte duke u marrë ky mision (krime të luftës, korrupsion i nivelit të lartë.,etj), ia ka transferuar Prokurorisë Speciale të Kosovës.
Kalimi i të gjitha kompetencave nga EULEX-i tek autoritetet vendore është thënë nga këta të fundit se nuk përbën ndonjë sfidë, pasi këto institucione tashmë janë të gatshme të funksionojnë të pavarura dhe pa ndikime politike.
Ndërkohë nga Prokuroria Speciale e kanë konfirmuar për lajmi.net se kanë filluar të merren me të gjitha lëndët e transferuara.
“Po është duke u marrë dhe me këto raste merren të gjithë prokurorët e kësaj prokurorie”, ka thënë Ekrem Lutfiu, zëdhënës i PSRK-së.
Tutje, ai ka bërë të ditur se nga EULEX-i janë përcjell në Prokurorinë Speciale gjithsej 974 raste-dosje.
Misioni i EULEX-it kishte ardhur në Kosovë në vitin 2008, ai ishte krijuar për t’i ndihmuar institucionet, organet gjyqësore dhe agjencitë për zbatimin e ligjit në Kosovë.
Ndërsa më 4 qershor të vitit 2018, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dorëzoi tek autoritetet e Bashkimit Evropian letërkëmbimin me shefen e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini, me të cilën e përmbylli mandatin e misionit të EULEX-it./Lajmi.net