Prokuroria e Kosovës merr disa përgjigje nga Serbia për vrasjen e Ivanoviqit

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka njoftuar se ka marrë përgjigje në kërkesat e saj, të cilat ua ka drejtuar organeve kompetente të Serbisë për procesin hetimor lidhur me vrasjen e politikanit Oliver Ivanoviq.

Komunikata e plotë e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës:

Në kërkesën e parë të PSRK-së, e cila është paraqitur për herë të dytë, për dërgimin e thirrjeve hyrëse dhe dalëse, të SMS-ve dhe IMEI-t në telefonat e viktimës, Oliver Ivanoviq, organet serbe kanë thënë se këtë kërkesë duhet drejtuar te Telekomi serb (MTS) në Mitrovicën e Veriut, edhe pse nga PSRK-ja kjo kërkesë në fillim është dërguar pikërisht te Telekomi serb në Mitrovicën e Veriut, të cilët patën thënë se në pamundësi teknike duhet drejtuar organeve kompetente në Serbi. Pra, Telekomi serb në Mitrovicën e Veriut dhe organet kompetente në Serbi, për realizimin e kësaj kërkese të PSRK-së po e hedhin topin të njëra tjetra.
Kërkesa e dytë e PSRK-së ka qenë identifikimi dhe ekzaminimi i personit me mbiemrin Komatina, me të cilin ka kontaktuar i pandehuri D.M, pak minuta pas vrasjes se Oliver Ivanoviqit.
Lidhur me këtë kërkesë organet serbe kanë thënë se kompania telefonike nuk posedon të dhëna personale dhe nuk ka mundur të identifikojë përdoruesin e telefonit me mbiemrin Komatina.
Në kërkesën e tretë, PSRK-ja ka kërkuar identifikimin dhe intervistimin e dëshmitarit Sasha Jankoviq, i cili përmes telefonit ka kontaktuar me viktimën Oliver Ivanoviq.
Lidhur me këtë kërkesë, Zëvendësprokurori kundër krimit të organizuar në Beograd ka intervistuar dëshmitarin Jankoviq, ku një kopje e procesverbalit të intervistës dhe shkresat e tjera përcjellëse i janë dorëzuar PSRK-së.
Në kërkesën e katërt të PSRK-së është kërkuar të kryhet kontrolli i veturës “Opel Astra”, e cila dyshohet që është përdorur në rastin e vrasjes se Oliver Ivanoviqit, për arsye se dyshohet se e njëjta veturë është parë disa ditë para vrasjes së politikanit Ivanoviq në fshatin Rudnicë të Komunës së Rashkës, pranë shtëpisë së qytetarit M.R., apo afër ndonjërës prej shtëpive të miqve të tij.
Organet serbe kanë thënë për këtë kërkesë se Enti Gjeodezik Republikan, Sektori për Kadastër, i ka informuar se qytetari M.R. nuk ka të regjistruar pronë të paluajtshme në Republikën e Serbisë. Po ashtu, lidhur me veturën e lartcekur, kanë thënë se nuk është parë në rajonin e fshatit Rudnicë në fund të vitit 2017 dhe në fillim të vitit 2018.
Kërkesa e pestë ka qenë ekzaminimi i klonimit të gëzhojave dhe predhave të gjetura në vendin ku ka ndodhur vrasja e Oliver Ivanoviqit.
Organet serbe kanë thënë se kanë bërë ekzaminimin e kërkuar dhe se arma e përdorur në vrasjen e Oliver Ivanoviqit nuk ka hasur në përputhshmëri të përdorimit të saj në ndonjë rast tjetër në Serbi.
Të gjitha këto që u cekën më lart do të jenë pjesë përbërëse e shkresave të lëndës se rastit Ivanoviq, ndërsa PSRK-ja është e gatshme për vazhdimin e bashkëpunimit me organet kompetente të Serbisë, me qëllim të zbardhjes së vrasjes së Oliver Ivanoviqit.