Prokuroria e Posaçme e Shqipërisë paralajmëron nisjen e hetimeve për vrasjen e Ahmet Krasniqit

Prokuroria e Posaçme e Shqipërisë (SPAK) ka paralajmëruar se do të nisë hetimet për çështje që kanë tronditur shtetin shqiptar, përfshirë këtu edhe vrasjen e kolonel Ahmet Krasniqit.

Pak kohë më parë, kryeprokurorja në Shqipëri, Arta Marku ka firmosur një urdhër për të gjitha prokuroritë e vendit, ku kërkonte që të rihapeshin dosjet e vjetra të mbetur pa autorë, nisur nga provë, dëshmi, apo edhe dyshime të tjera.

Në zbatim të këtij urdhri, në Tiranë dhe Durrës u rihapën hetime për disa çështje, por ngritja e SPAK dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit do të jetë një tjetër hapësirë për zbardhjen e të vërtetave.

Në çështjet që do të jenë në 20 të parat që SPAK do të rihetojë është ajo e vrasjes së ish-ministrit të Mbrojtjes së Kosovës, Kolonel Ahmet Krasniqi.

Kolonel Ahmet Krasniqi u ekzekutua në Tiranë, në zonën e Laprakës në 21 shtatorit e vitit 1998, nga persona që ende sot e kësaj dite nuk dihen. Policia në atë kohë e lidhi krimin me zhvillimet në Kosovë dhe një aktivitet të bandave kriminale që vepronin në kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës, shkruan Gazeta Shqip.

Madje, pati edhe një pistë hetimi se autor i ekzekutimit të Krasniqit ishte Feriz Kërnaja, por që mbetën vetëm dyshime. Për motivin e vrasjes së ish-ministrit të Kosovës pati disa pista, një prej të cilave trafiku i armëve Shqipëri-Kosovë, por pa u gjetur asnjëherë provat e mjaftueshme.

Por, pavarësisht se kanë kaluar 21 vite që prej asaj nate të krimit të rëndë, dosja është ende në Prokurori dhe hetimet pritet të rihapen nga SPAK, strukturë nga e cila pritshmëritë janë të mëdha.