Prokuroria: Ndaj Tedosijeviqit kemi inicuar rast pas deklaratave të tij

Ivan Todosijeviq do të përballet me organet e drejtësisë kosovare pas deklaratës që kishte bërë rreth masakrës së Reçakut.

Zëdhënësi i Prokurorisë Speciale, Ekrem Lutfiu, ka konfirmuar për Klan Kosovën se prokuroria ka iniciuar rast ndaj ish-ministrit.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka iniciuar rast ndaj ish ministrit të Administratës së Pushtetit Lokal, I.T. lidhur me deklaratat e bëra. Prokuroria Speciale tani është në fazën e grumbullimit të informative lidhur me këtë çështje”, është shprehur ai.

Ndryshe, Klan Kosova kishte raportuar rreth kësaj deklaratë skandaloze të ministrit serb të Qeverisë së Kosovës, Ivan Teodosijeviq.

Ministri i MAPL-së i quante shqiptarët si terroristë, ndërsa masakrën e Reçakut e vlerësonte si të trilluar. Pas këtij lajmi, kryeministri i Kosovës ka marrë vendim për shkarkimin e tij.

“Kam marrë vendim për shkarkimin e Ministrit të Administratës së Pushtetit Lokal, Ivan Teodosijeviq. Është e patolerueshme një gjuhë e tillë e urrejtjes nga ministri në fjalë. Është e pakuptimtë se si një deri sot kolegë i yni shprehet me aq injorancë, urrejtje dhe fyerje për viktimat e Reçakut, viktimat e tjera të regjimit të Millosheviçit dhe akceptimin dhe miratimin që ai i bëri terrorit të këtij regjimi. Kjo nuk arsyetohet”.

I pari i ekzekutivit në ditën e shkarkimit të Teodosijeviqit shtoi:

“Në Qeverinë që unë e drejtoj nuk do të ketë vend për askë që në çfarëdo mënyre fyen të tjerët në bazë etnike, racore, fetare apo tjetër, e as ata që synojnë të akceptojnë politikat e tilla. Vendimi hyn në fuqi menjëherë”.