Prokuroria nis hetimet ndaj mësuesit në Gjilan që qethi nxënësin në klasë

Një nxënës për t’u ndëshkuar për sjelljet e tij të këqija një mësues vendosi t’ia presë flokët në klasë dhe pa dëshirën e tij.

Ndaj këtij arsimtari Prokuroria Themelore në Gjilan ka filluar hetimet dhe ka autorizuar policinë që të intervistojë arsimtarin dhe prind e fëmijës, njofton Klan Kosova.

Mësuesi po dyshohet se ka kryer veprën penale ‘’Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike’’.

Gjithashtu, nga Qendra për Punë Sociale është intervistuar edhe nxënësi, në prezencë të përfaqësuesit të tij ligjor.

Rastin për Klan Kosovën e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë në Gjilan, Liridona Xheladini.

“Lidhur me rastin në fjalë, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Gjilan, ka filluar veprimet fillestare hetimore, duke autorizuar policinë që të intervistojnë, prindin e fëmijës, arsimtarin, tani të dyshuarin, i cili është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës, pasi dyshohet se ka kryer veprën penale ‘’Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike’’, nga neni 195 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.