Promovohet  Udhëzuesi për Politikën Ndëshkimore në Kosovë

Është promovuar Udhëzuesi i Gjykatës Supreme për Politikën Ndëshkimore në Kosovë. Qëllimi i këtij udhëzuesi është që të ofrojë një elaborim më të detajuar të  dispozitave ekzistuese të legjislacionit penal në fuqi, thuhet në komunikatën e Gjykatës Supreme të Kosovës.

Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci ka deklaruar se udhëzuesi për nga qëllimi dhe përmbajtja nuk paraqet udhëzim, ligjërisht të detyrueshëm, dhe nuk përcakton dispozita detyruese gjatë caktimit të dënimit.

“Gjykata Supreme ka marrë përsipër angazhimin në nxjerrjen e këtij udhëzuesi dhe miratimin e tij, si e drejtë e saj ligjore, në kuadër të unifikimit të praktikës gjyqësore, bazuar edhe në vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, referuar vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, lidhur me çështjen e mungesës së konsistencës në vendimmarrje nga gjykatat e rregullta, dhe në linjë edhe me Rekomandimin e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës mbi konsistencën në matjen e dënimeve”, ka deklaruar Peci.

Me këtë rast, Peci falënderoi Ambasadën e ShBA-ve në Kosovë, ekspertët nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë dhe ekspertët vendorë për mbështetjen dhe kontributin e tyre në nxjerrjen e këtij Udhëzuesi, thubet në komunikatë.

Ambasadori i ShBA-ve në Kosovë, Gregg Delawie ka folur për sfidat e shumta në sistemin e drejtësisë, përfshirë ato në praktikën e aplikuar ndëshkimore dhe perceptimin e publikut karshi gjyqësorit.

“Ky perceptim i publikut, në veçanti është i rëndësishëm për sistemin e drejtësisë, sepse pa marrë parasysh sa të mira apo moralisht të qëlluara janë ligjet, sistemi i gjyqësorit dështon kur nuk mund të komandojë respektin  e atyre që i qeveris. E mungesa e besimit sjell mungesën e shpresës. Gjykata Supreme e ka hartuar këtë Udhëzues, si masë të drejtpërdrejt për këto probleme”, ka theksuar ambasadori Delawie.

Në anën tjetër, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri theksoi se bërthama e punës drejt Bashkimit Evropian mbetet fuqizimi i gjyqësorit në Kosovë.

“Jam i vetëdijshëm që në gjykata, në nivelet më të ulëta, shpesh haset në problematika të cilat kërkojnë ndërhyrje në vendime unifikuese, rrjedhimisht ka qenë e domosdoshme në këtë rast ndërhyrja e Gjykatës Supreme”, u shpreh ministri Tahiri duke shtuar se përmes zbatimit të Udhëzuesit, pritet të shmangen interferencat në aplikueshmërinë e metodave të ndryshme në raste të ngjashme.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, pohoi para të pranishmëve se,  “Politika  ndëshkimore që zbatojnë gjykatat tona, shpeshherë është subjekt i kritikave. Përgjithësisht, thuhet se dënimet janë joproporcionale dhe nuk përkojnë me peshën dhe natyrën e veprës penale”. Ndaj, ai shprehu bindjen se Udhëzuesi i sapo publikuar, do të eliminojë dykuptimësitë në shqiptimin e dënimeve dhe në unifikimin e politikës ndëshkimore. Ai ka ftuar të gjithë gjyqtarët dhe zbatuesit e ligjit, që të shfrytëzojnë këtë udhëzues.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksander Lumezi, në fjalën e tij të rastit, e vlerësoi iniciativën e Gjykatës Supreme, për nxjerrjen e Udhëzuesit, duke e cilësuar si përpjekje për të përmirësuar sundimin e ligjit dhe për të unifikuar politikën e dënimeve.

“Gjykatat nëpërmjet politikës ndëshkimore duhet të tregojnë se janë garantuesi më i mirë i funksionimit të pushtetit ligjor dhe mbrojtësi më  i mirë i lirive dhe të drejtave të njeriut.

Andaj, unifikimi i dënimeve për veprat penale, të kryera në rrethana të ngjashme, është parakusht i një drejtësie të barabartë për të gjithë. Me ketë udhëzues trajtimet diskriminuese që kanë ekzistuar më herët do të evitohen edhe kjo do të paraqet një të arritur të sistemit gjyqësor”, theksoi kryeprokurori Lumezi.

Miratimin e Udhëzuesit për Politikën Ndëshkimore në Kosovë, e ka mirëpritur edhe kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, Osman Havolli, i cili, para të pranishmëve, shprehu bindjen se me unifikimin e politikës ndëshkimore, ofrohet qasje më e matur dhe unike ndaj rasteve gjyqësore.

Ndryshe, Udhëzuesi për Politikën Ndëshkimore në Kosovë, tashmë është publikuar në ueb-faqen zyrtare të Gjykatës Supreme.