Protestat/ Tre mesazhet amerikane për “Ish-Pushtetarët” dhe një mesazh i Metës për ndërkombëtarët

Në një mesazh të ambasadës amerikane të premten në mbrëmje, binte në sy cilësori “ish-pushtetarë” referuar treshes Berisha-Meta-Basha, duke i konsideruar pikërisht ata si nxitës të protestave të radhës karakterizuar nga dhuna ndaj institucioneve, “të harruara” që pranverë-verën e 2019.

Po pse “ish-pushtetarë”? Mos ndoshta thjesht një trill gjuhësor? Aspak! Gjuha diplomatike, e një vendi me peshë të madhe diplomatike në mesazhe politike, mirëkurohet në këtë rast.

Tre “zogj” mendohet se mund të kenë qenë në shënjestër të “gurit” të gjuajtur nga Uashingtoni.

E para, ajo që edhe pse kësaj here nuk jeni në krye të protestave, padyshim dihet që pas tyre jeni ju.

E dyta, per t’ju kujtuar se politika amerikane i sheh për çdo rast si ish-pushtetarë, pra si njerëz që kanë patur në dorë përgjegjësi qeverisëse, e si të tillë nuk mund të kenë kauza risimtare.

E treta, se si “ish”, me ketë sjellje politike, mund të tillë të mbeten – “ish”, pa e provuar më shijen e pushtetit.

Nga ana tjetër, në mesazhin gati të lakuriqtë të Metës paraditen e së shtunës, në fund, pasi nxitej rinia të vijonte protestat, gjuha shkonte atje ku dhemb dhëmbi – te Reforma në Drejtësi.

“Askush se mendoi se kjo do të ishte një reformë që do të ndryshonte Shqipërinë, ishte kapje e organizuar e shtetit dhe e drejtësisë, një humbje e madhe kohe për vendin. 3 vite pa gjykatë Kushtetuese”, ishin fjalët e Metës.

Edhe pse sulmet ndaj reformës Meta ia faturon qeverisë, dihet që ajo ka ndërkombëtarët si avokatët me të fortë, siç dihet dhe që për reformën në fjalë, Meta është përplasur më keq me ndërkombëtarët se me Ramën.

Dhe, ndërfutja e Reformës në Drejtësia si arsye e protestave, të nisura ato me kauzën e të ndjerit Klodian Rasha, është mesazhi, në formë presioni që Meta u përçon avokatëve të tyre ndërkombëtarë, pa ekuivok: po, pas tyre jam unë!

Pas kësaj, leximi është i qartë: reforma duhet negociuar, përndryshe, dhuna nuk ndalet!/tesheshi