PSD, AAK dhe NISMA dërgojnë në kushtetuese dekretin e presidentit

​Shefat e grupeve parlamentare të PSD-së, AAK-së, dhe NISMA-s, mbështetur nga 30 deputetë të Kuvendit të Kosovës, kanë dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese, kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë të dekretit të presidentit të Republikës së Kosovës, lidhur me emërimin e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Kjo është bërë me qëllim të anulimit të vendimit të presidentit Hashim Thaçi, pasi të tri partitë vlerësojnë se u janë shkelur të drejtat e tyre si grupe parlamentare.

Bilall Sherifi nga Nisma për Kosovën, tha se në këtë mënyrë po sfidojnë vendimin e presidentit të vendit.

“Ne konsiderojmë që janë shkelur të drejtat tona si grupe parlamentare dhe për këtë arsye kemi sfiduar këtë vendim në gjykatës kushtetuese. Presim që Gjykata Kushtetuese të në jep të drejtë për atë që kemi ngritur sot. Vendimi i presidentit nuk është në përputhje me kushtetutën dhe si i tillë duhet të anulohet deri në vendim të Gjykuarës Kushtetuese”, tha ai.

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi tha se kanë dërguar të gjithë emrat.

Ndërsa, Dardan Sejdiu nga PSD ngriti një problematikë tjetër, e që sipas tij është pluralizmi.Ai tha se po bëhet betejë edhe për pluralizëm.”Në këtë ankesë besoj që edhe ë prej betejave tona të përbashkëta është që të bëjmë betejë edhe për pluralizëm”, u shpreh ai.