PSD dhe Nisma paralajmërojnë rrëzimin e Qeverisë Haradinaj

Nisma Socialdemokrate dhe Partia Social Demokrate kanë paralajmëruar rrëzimin e Qeverisë Haradinaj, transmeton Gazeta Metro.

Kështu deklaruan Shefi i Grupit Parlamentarë të Nismas, Bilall Sherifi, dhe deputeti i PSD-së, Dardan Molliqaj.

Molliqaj i cili shprehu edhe pakënaqësitë e partisë së tij për mospërfshirjen e asnjë anëtari në KQZ, tha se si PSD besojnë që edhe kësaj partie i takon përfaqësimi në KQZ, porse siç u shpreh Molliqaj, fjala e fundit i takon Gjykatës Kushtetuese.

“Në vitin e kaluar presidenti ka pasur një vendim. Vendimi ka qenë i qartë që 6 grupet më të mëdha të dërgojnë përfaqësues në KQZ. Dhe neve na ka ardhur vendimi ku është kërkuar që PSD ta nominojë përfaqësuesin e vet. Ne e kemi propozuar përfaqësuesin tonë. Qe tre muaj ne nuk kemi marrë asnjë vendim për ndërrimin e vendimit të tij. Konsiderojmë që kjo çështje të zgjidhet, që KQZ të funksionalizohet dhe qëndrimi i PSD-së është që së pari të kemi interpretim Kushtetues dhe pastaj të ecim tutje”, tha ai.

I pyetur nëse do t’i jepnin votat për rrëzimin e Qeverisë, ai tha se janë të gatshëm ta bëjnë një gjë të tillë nëse ajo ditë të ishte edhe nesër.

“Ne jemi të gatshëm dhe të interesuar ta rrëzojmë Qeverinë, në çdo paraqitje e kemi bërë të qartë. Partitë e mëdha opozitare nuk e kanë guximin ta nisin një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë. Ditën që Kuvendi e ka shumicën ta rrëzojë Qeverinë bashkë me neve, PSD do të votojë ta rrëzojë edhe nëse është dita e nesërme. Nëse NISMA ka dhënë qëndrim për këtë çështje, për rrëzimin e qeverisë, atëherë PSD sigurisht që do të jetë për rrëzimin e saj. Mos të harrojmë që Nisma para disa vitesh e nisi mocionin për rrëzimin e qeverisë dhe ia arriti qëllimit” tha Molliqaj.

Edhe shefi i Grupit Parlamentar i Nisma Social Demokrate, Bilall Sherifi ka kërcënuar më zgjedhje të parakohshme Qeverinë Haradinaj, transmeton Gazeta Metro.

Sherifi ka ftuar PDK-në dhe AAK-në që të refuzojnë dekretimin e anëtarëve të tyre në KQZ dhe të dërgojnë çështjen në Kushtetuese.

“Nëse nuk ka marrëveshje të brendshme nuk do ta dërgojmë asnjë njëri, dhe do ta dërgojmë në Kushtetuse. Ftojmë PDK-në dhe AAK-në që ta sfidojmë Presidentin në Gjykatë Kushtetuese. Çdo vendim që merr Gjykata Kushtetuese do ta zbatojmë.Unë do të bëjë thirrje brenda NISMA-s dhe juve cdo ditë që sa më shpejt të shkohet në zgjedhej dhe të ketë sa më jetë të shkurtër kjo KQZ. Do të bëjë ç’mos që NISMA të ketë anëtarin e vet brenda 6 muajve, do të thtoë pas zgjedhjeve”, u shpreh Sherifi.

Kujtojmë se Presidenti i vendit Hashim Thaçi, ka njoftuar dje se pas përmbylljes së të gjitha procedurave dhe kompletimit të lëndëve me informacionet e kërkuara shtesë, këtë javë do të emërohen anëtarët e rinj të KQZ-së.

Lini një Përgjigje