Pse MASHTI anashkalon Epopenë e UÇK-së?

Shkruan: Burim Gjaka

Datat 5,6 dhe 7 mars në Kosovë, janë data shumë të rëndësishme të cilat festohen çdo vit në familje dhe institucione, me organizime e manifestime të ndryshme. Këto data janë simbol i sakrificës më sublime të Familjes Jashari, sakrificë kjo e cila para 25 viteve lëvizi nga vendi “Diplomacinë Botërore”, për t`a kthyer kokën nga Kosova, e cila ishte harruar kaherë nga “Qendrat e Vendosjes”.

Shqiptarët në mbarë globin tashmë ua din vlerën këtyre datave, të cilat mbajnë titullin e nderit “ Epopeja e UÇK-së”, mirëpo fatkeqsisht kjo festë injorohet e anashkalohet nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Informacionit e Republikës së Kosovës, duke harruar se ky shtet është krijuar si rezultat i kontributit madhor dhe gjakut të derdhur të Familjes Jashari, mu në këto data.

Zyrtarët e kësaj Ministrie, me dhjetra herë deri më tani i kanë obliguar shkollat e vendit që orën e parë t`ia kushtojnë ditëve, datave e ngjarjeve të ndryshme, të cilat në shumicën e herave nuk kanë pasur ndonjë rëndësi të madhe. Asnjë ngjarje dhe asnjë datë nuk është më e rëndësishme për historinë e popullit shqiptar sesa datat 5, 6 dhe 7 mars, të cilat po anashkalohen nga kjo Ministri. Kjo qasje e tyre përveq që është fyese ndaj luftës së shenjtë çlirimtare, tërthorazi i bën keq edhe historisë së vendit sepse po krijohet një histori fallco, të cilën fatkeqësisht ata të cilët nuk e kanë përjetuar luftën dhe gjenocidin sërb në Kosovë edhe po i besojnë.

Tendenca e anashkalimit dhe minimizimit të vlerave të luftës çlirimtare vërehet edhe në librat shkollor të historisë, të cilat shkruhen e botohen nën patronazhin e zyrtarëve të kësaj Ministrie, të cilët vetëm në një libër historie të shkollave fillore dhe të mesme të ulëta e përshkruajnë luftën e UÇK-së.

Orë kushtuar “Ditës së Tokës”, “ Ditës së Ujit”, “ Ditës së Internetit”, etj., janë vetëm disa nga shënimet që gjenden në ditarët shkollor, të cilat me urdhërin e Ministrisë u janë kushtuar këtyre ditëve në shkolla, ndërsa nxënësit tanë tashmë shumë pak din për UÇK-në. Me përjashtim të ndonjë shkolle që mbanë ndonjë aktivitet për nder të këtyre datave dhe atë “ krye në veti” mungon iniciativa e institucioneve që të përkujtohen këto ngjarje shumë të lavdishme dhe që nxënësit tanë ta freskojnë memorien për vlerat madhore kombëtare.

Kuize diturie kushtuar UÇK-së, orë letrare kushtuar UÇK-së, ekspozita kushtuar UÇK-së, konkurse poezie kushtuar UKÇ-së, vizita në kompleksin memorial të Jasharëve, vizita në kazermat e FSK-së janë vetëm disa nga aktivitetet që do të duhej të mbaheshin për nder të këtyre datave, por kjo po nodhë shumë rrallë.

Pse duhet të hezitojmë që të paktën një orë mësimore në vit t`ia kushtojmë Epopesë së UÇK-së? Ministria e Arsimit e Republikës së Kosovës shpesh herë harton posterë, fletëpalosje e broshura të ndryshme për rëndësinë e datave dhe ngjarjeve të ndryshme, madje ndonjëherë harton edhe materjal të obligueshëm që t`u lexohet nxënësve në orë mësimore për data dhe ngjarje jo me shumë rëndësi, por asnjëherë s`u kujtua deri më sot, që shkollave t`ju shpërndahet ndonjë materjal kushtuar Epopesë së UÇK-së, Familjes Jashari, Familjes Haradinaj dhe plotë e përplotë familjeve heroike shqiptare.
Kjo qasje e tyre ndaj këtyre datave dhe ngjarjeve shumë të rëndësishme është shqetësuese për të mos thënë e qëllimshme.

Pavarësisht qasjes së papranueshme të tyre, historia e popullit shqiptar nuk mund të ndryshohet. Asnjë institucion nuk do të ekzistone pa konributin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e as Ministria e Arsimit. Nuk duhet të presim që dikush tjetër të na vlerësoj, nëse ne nuk e vlerësojmë vetveten. Duhet reagim i fuqishëm edhe nga organizatat e ndryshme të cilat merren me mbrojtjen e vlerave të luftës ndaj kësaj neglizhence, anashkalimi dhe injorimi që i bëhet Epopesë së UÇK-së nga këta njerëz të papërgjegjëshëm e që aksidentalisht udhëheqin Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

Shkollat nuk duhet të qëndrojnë duarkyq karshi këtyre ngjarjeve. Ora e parë mësimore, patjetër të hënën, më 6 mars 2023, duhet t`i kushtohet Epopesë së UÇK-së dhe gjatë kësaj dite në secilën shkollë të mbahen aktivitete të ndryshme kushtuar kësaj ngjarje. Historia nuk duhet të harrohet sepse përsëritet pjesa më e keqe e saj. Poashtu historia as nuk mund të ndryshohet, prandaj faleminderit Familjes Jashari dhe të gjitha familjeve tjera që kontribuan shumë, që ne sot jemi të lirë dhe mund të shkruajmë e festojmë.

Urime Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!

Lavdi gjithë të rënëve për Lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës!