Pse Uashingtoni vendosi një serbo-amerikan në krye të KFOR-it?

0
77

Kur koloneli i ushtrisë amerikane, Nick Ducich mori drejtimin e “brigadës së harruar” të NATO-s në Kosovë këtë muaj, ai e gjeti veten në qendër të një prej konflikteve etnike më të ngathët të Europës, dhe e gjithë kjo për shkak të emrit të tij.

Shumica entike shqiptare e Kosovës u zemërua nga emërimi i Ducich, një shtetas amerikan me origjinë serbe. Kjo ishte një shenjë e qartë se Uashingtoni donte që Kosova të bënte më shumë kompromise në bisedimet e drejtuara nga BE-ja me Serbinë. Ndërkohë, mediat nacionaliste të Serbisë publikuan një seri shkrimesh që pretendonin se Nick Ducich do t’i kthejë Kosovën-Serbisë.
Në një kohë kur ndërhyrja ruse në rajon po rritet, përpjekjet paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë kanë marrë rëndësi strategjike më të madhe, sidomos tani që tensionet mes serbëve dhe shqiptarëve po rriten sërish.
Ducich, gjyshërit e të cilit emigruan në Amerikë rreth një shekull më parë, hodhi poshtë pretendimet në mediat sociale, se ardhja e tij në Kosovë përbën një axhendë të fshehur.
“Unë mendoj se KFOR-i ka qëndruar për të gjithë.
Një nga parimet kryesore të KFOR-it është paanshmëria e tij” – u shpreh Nick Ducich.
“Unë jam oficeri i parë amerikan me origjinë serbe që komandoj këtë grup shumë-kombësh” – u shpreh veterani 30-vjeçar i Gardës Kombëtare të Kalifornisë.
“Kam privilegjin të shërbej këtu dhe do të angazhohem maksimalisht që Kosova të ketë një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit”.
Por, atmosfera e ngarkuar etnikisht është një nga arsyet pse Ballkani po vazhdon të krijojë shqetësim për NATO-n.
Komandanti i lartë ushtarak, Curtis M. Scaparrotti, me detyrë general i komandës së SHBA për Europën, i tha Kongresit amerikan këtë muaj se për të, Ballkani është një nga rajonet më problematike.
“Zona për të cilën jam shumë i shqetësuar sot është Ballkani.
Rusia po punon në Ballkan dhe ne i kemi hequr sytë nga aty” – u shpreh Scaparrotti.
Ekipi i Nick Ducich erdhi në Kosovë në një kohë kur 19 vite konflikt i ngrirë në vend, ka potencialin të kthehet një konflikt destabilizues për rajonin, por edhe më gjerë.
Rusia u përfshi kohët e fundit duke kritikuar me forcë NATO-n, dhe duke mbrojtur pretendimet serbe ndaj Kosovës, kur ndërkohë shumica e shteteve perëndimore e kanë njohur vendin e dominuar nga shqiptarët etnikë.
Disa analistë shprehen se lëvizja e Moskës është një dredhi që synon të shkatërrojë përpjekjet e Uashingtonit dhe Brukselit për të integruar përfundimisht Serbinë dhe Kosovën në Bashkimin Europian.
Të hënën, forcat speciale kosovare hodhën gaz lotsjellës dhe granata për të shpërndarë protestuesit serbë, pasi autoritetet kosovare kishin ndaluar hyrjen e një zyrtari të lartë të qeverisë serbe, Marko Gjuriç. Incidenti zemëroi jashtë mase Beogradin dhe ndezi më tej tensionet mes dy armiqëve ballkanikë.

Ducich zëvendësoi më 20 mars kolonelin Michael Spraggins dhe ekipin e tij. Ky ishte rotacioni i 24-të nëntë-mujor që kur KFOR u krijua në vitin 1999. KFOR është misioni më i gjatë në historinë 69-vjeçare të NATO-s.
Rreth 680 amerikanë bëjnë pjesë në KFOR, i cili është zvogëluar nga 50 mijë trupa në vitin 1999, në më pak se 4 mijë ushtarakë sot.
Kosova, popullsia e së cilës është 90 përqind entike shqiptare, ishte një rajon autonom në federatën e vjetër jugosllave. Por, kur ish-lideri serb Slobodan Millosheviç mori pushtetin në vitin 1988, ai filloi manovrat për të riintegruar Kosovën në Serbi. Ai vendosi ligjin ushtarak në këtë krahinë të varfër.
Në vitin 1999, NATO ndërhyri ushtarakisht pas një serie mizorish nga forcat serbe kundër popullsisë shqiptare. Pas një fushate bombardimi 78-ditore, Millosheviç u mund dhe tërhoqi forcat e tij jashtë Kosovës, duke ia lënë krahinën NATO-s në kontroll. Në vitin 2008, qeveria e Kosovës deklaroi në mënyrë të njëanshme pavarësinë nga Serbia, e cila kundërshton fuqishëm këtë veprim dhe e konsideron ende Kosovën si pjesë të territorit të saj.
Kampi Bondsteel, i emëruar pas një heroi të luftës së Vietnamit, James Bondsteel, u ndërtua fillimisht për të strehuar rreth 7 mijë trupa, dhe ishte një nga bazat më të mëdha të ndërtuara nga ushtria amerikane që nga Lufta e Vietnamit. Por, pas sulmeve të 11 shtatorit në Nju Jork dhe pas pushtimeve në Afganistan dhe Irak, amerikanët brenda këtij kampi u zvogëluan në numër.

Bondsteel u ndërtua me ngut pas luftës së vitit 1999. Ajo është një bazë e ngushtë e cila të jep idenë e një ndërtimi të improvizuar, e përbërë kryesisht nga ndërtesa një-katëshe druri që lidhen me rrugë të gjata e të zbrazëta. Bondsteel është e vendosur pranë kufirit lindor të Kosovës me Serbinë dhe kufrin e saj jugor me Maqedoninë.
Në selinë qëndrore të NATO-s në Bruksel, KFOR-i për vite me rradhë quhej ‘Brigada e Harruar’. Disa nga anëtarët e NATO-s, madje kanë kërkuar që t’a shpërbëjnë KFOR-in dhe trupat e tyre t’i dërgojnë në misione shumë më kritike, siç është lufta në Afganistan.
Edhe disa nga trupat që shërbejnë në KFOR pranojnë se kur i është komunikuar dërgimi në Kosovë, ishin befasuar, pasi nuk e dinin se ushtria amerikane kishte ende një mision në këtë vend. Disa nga trupat e intervistuar kohët e fundit janë shprehur se kur bëhej luftë në Kosovë, ata ishin nxënës në shkolla.
“Nuk e dinim ku ishte Kosova” – u shpreh ushtaraku amerikan Adam Martin, i cili shtoi se kur iu dha urdhri të zhvendosej në Kosovë, kërkoi me hartë në internet se ku ishte ky vend ku ai do të shkonte të shërbente.
Por, Adam Martin thekson se tani po i pëlqen Kosova, e cila i kujton Koloradon në SHBA.
“Njerëzit këtu janë jashtëzakonisht miqësorë, gjithnjë të buzëqeshur dhe na përshëndesin kur na shohin.”/Lapsi.al