Punësimet politike, SHBA: Po humben investitorët e huaj

0
279

Punësime politike e me nepotizëm janë raportuar kohëve të fundit nëpër institucione në Kosovë.

Në qendër të kritikave për këtë dukuri ishte partia e Ramush Haradinajt, AAK-ja, raporton lajmi.net.

Sipas raportimeve një numër i madh i zyrtarëve të lartë nga ky subjekt i punësuan të afërmit e tyre në institucione të ndryshme, e më së shumti në Postën dhe Telekomin e Kosovës.

Pavarësisht se kjo shkaktoi reagime të mëdha edhe në opinion, zyrtarët shtetërorë nuk është se morrën shumë masa për këtë.

Keq nuk mbeti as Nisma Socialdemokrate. Kjo parti në ministritë që i udhëheq, atë të Arsimit dhe Tregtisë, i rehatoi militantët e vetë pa kurrfarë kriteri.

Edhe njëherë, për këtë ka folur ambasada amerikane.

Në një përgjigje për lajmi.net nga kjo ambasadë, thuhet se punësimi i bazuar në merita është mënyra më e mirë për të krijuar një fuqi punëtore efikase dhe productive.

Sipas ambasadës, nëse një Qeveri i mbush rradhët e shërbimit civil me individë, duke u bazuar kryesisht në lidhjet politike, ajo humbet njerëzit kompetentë dhe produktivë.

“Punësimi i bazuar në merita është mënyra më e mirë për të krijuar një fuqi punëtore efikase dhe produktive; për të siguruar drejtësi dhe mundësi të barabarta për të gjithë, përfshirë për femrat dhe pjesëtarët e bashkësive pakicë; dhe për të kapitalizuar angazhimin e plotë të qytetarëve të Kosovës në ekonomi. Kur një qeveri i mbushë radhët e shërbimit të saj civil me individë duke u bazuar kryesisht në lidhjet politike dhe familjare ajo atëherë humbet resursin e saj më të çmueshëm – njerëzit kompetentë dhe produktiv”, thuhet në përgjigjen e ambasadës.

Ambasada amerikane përmes përgjigjes për lajmi.net u ka bërë thirrje edhe njëherë udhëheqësve të Kosovës që të ndërmarrin hapa për të treguar përkushtim të paluhatshëm ndaj punësimit transparent.

“Kjo e minon besimin e publikut dhe dëmton besimin e investitorëve. Ne i sfidojmë udhëheqësit e Kosovës që tani të ndërmarrin hapa për të treguar përkushtim të paluhatshëm ndaj punësimit transparent dhe të bazuar në merita”, përfundohet në përgjigjen e ambasadës amerikane për lajmi.net.

Kujtojmë, se pikërisht për këtë dukuri, është paralajmëruar edhe formimi i një komisioni parlamentar hetues, i cili do të hetojë të gjitha punësimet me baza partiake dhe familjare.

Nga ana tjetër, zyrtarë të lartë të shtetit duke përfshirë kryeministrin Haradinaj dhe kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli kanë paralajmëruar se do ta luftojnë dukurinë e nepotizmit në institucione publike.