Qëndresa Sadriu, shqiptarja e parë, deputete e Kantonit të Cyrihut

Në Kantonin e Cyrihut të Zvicrës sot janë mbajtur zgjedhjet dhe në mesin e kandidatëve për deputete ishte edhe Qëndresa Sadriu.

Pra, ajo prej sot është deputete në Parlamentin e Kantonit të Cyrihut.

Pas zgjedhjes së saj deputete në Parlamentin e Kantonit të Cyrihut, Qëndres Sadriu, në një prononcim ekskluziv për albinfo.ch thotë se ndihet krenare që është shqiptarja e parë e zgjedhur në Parlamentin e Kantonit të Cyrihut.

Në të njëjtën kohë thotë të jetë befasuar me rezultatin, ngase ka qenë në garë me politikanë shumë të njohur zviceranë nga ky kanton.

Qëndresa shprehet se ky rezultat fiton në peshë për faktin se përveç si shqiptare ajo ka fituar edhe si femër e re.

“Këtë datë nuk do ta harroj kurrë edhe për shkakun se lidhet me pervjetorin e sulmeve te NATO-s mbi forcat serbe në Kosovë”, thotë Qëndresa Sadriu për albinfo.ch.

Partia Socialdemokrate, si pjesë e së cilës ka garuar ajo, kësaj here ka marrë më shume ulëse. “Dhe kjo do të thotë se do të kemi mundësi të jetësojmë më shpejt ligjet e nevojshme në parlament”, shprehet optimiste Qëndresa.

Me këtë rast ajo përmes albinfo.ch falënderon të gjithë votuesit shqiptarë dhe të tjerë që e kanë mbështetur në zgjedhjet kantonale.

Me këtë arritje, Qëndresa bëhet e para shqiptare në përgjithësi e zgjedhur në Parlamentin e Kantonit të Cyrihut, më të madhit dhe më të rëndësishmit në vend.

Qëndresa Sadriu, ka kryer zanatin (Lehre) si asistente dentale, pastaj ka mbaruar edhe maturën ndërsa ka filluar studimet për shkencat sociale në PH (Shkollën e Lartë Pedagogjike) në Cyrih.

Në shtator të vitit që shkoi, Qëndresa ka filluar praktikën në shoqatën humanitare, “Sozialwerke Pfarrer Sieber”.

Qëndresa Sadriu ka qenë pjesë e jetës politike në komunën e saj dhe më gjerë qysh si vajzë 19 vjeçe.

Në vitin 2015 ajo kishte kandiduar edhe për deputete në Parlamentin Nacional të Zvicrës dhe, ndonëse nuk kishte arritur qëllimin, kishte fituar më së shumti vota në mesin e kandidatëve të tjerë shqiptarë

Në kantone tjera janë zgjedhur edhe shqiptarë të tjerë, në mesin e të cilave edhe Ylfete Fanaj në Kantonin e Lucernit, në parlamentin e të cilit ajo është shefe e Grupit Parlamentar të SP-së.

Qëndresa është zgjedhur tashmë dy mandate edhe në Asamblenë e komunës Glattbrugg/Opfikon, ku nga viti i kaluar ka edhe postin e kryesueses së asamblesë.

Qëndresa Sadriu ka qenë edhe njëra ndër kandidatet dhe asambleistet më të reja kur është zgjedhur në postin e asambleistes.

Ajo vjen nga Gjilani dhe është në moshën 25-vjeçare.