Qëndron Kastrati ngre kallëzim penal ndaj zyrtarit të Ministrisë së Arsimit

Kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka paraqitur kallëzim penal ndaj drejtorit të Departamentit për Arsim Parauniversitar i Ministrisë së Arsimit, Alush Istogu.

Kastrati tha se ai ka pasë tentativa për ta penguar procesin e nisur të reformës në këtë komunë.

“Është e papranueshme që një zyrtar i institucioneve të Kosovës të lëshojë deklarata të pamatura, të cilat kanë për pasojë fatin dhe edukimin e fëmijëve. Aq më pak kur kjo vjen nga një zyrtar që drejton Departamentin për Arsim Parauniversitar. Ndaj këtij personi, ne kemi paraqitur Kallëzim Penal pranë Prokurorisë Themelore, Departamenti i Krimeve të Rënda”.

“Zyrtari në fjalë në njërën anë ka shpërfillur totalisht komunikimin zyrtar me komunën (katër emaile të dërguara nga komuna, nuk kanë marrë kurrë përgjigjen e z. Istogu), e në anën tjetër ka keqpërdorur pozitën e tij duke nxitur qytetarët të rezistojnë. Është e papranueshme të dëmtohet seriozisht një proces institucional e i ligjshëm – siç ka ndodhur nga veprimet e z. Istogu, vetëm sepse jemi mësuar të mos përballemi me pasojat e veprimeve tona”.

Kastrati ritheksoi se procesi i reformave në arsim në Kamenicë është i dobishëm.

“Për të realizuar reformën në Kamenicë jemi nisur nga përgjegjësitë ligjore, obligimet institucionale e interesi i përgjithshëm shoqëror që na udhëheqë, por asnjëherë s’i kemi përjashtuar konsultimet me palët e tjera të interesit siç është Ministria e Arsimit”./Lajmi.net/

Lini një Përgjigje