Qeshi me zë të lartë, polici e dënoi një qytetare në Prishtinë

Një qytetare në Prishtinë është dënuar me 100 euro nga një polic, për arsye se kishte qeshur me zë të lartë.

Aida Gashi përmes një shkrimi në Facebook, ka treguar se pas orës 24:00 po priste një taksi dhe po bisedonte me shoqe duke qeshur, kur një zyrtar policor e kishte dënuar me 100 euro gjobë.

Aida ka treguar bisedën me policin që thotë se është Fatmir Miftari.

“Çka po kesh me zë?”, ishin fjalët e Miftarit e zyrtarit policor. E habitur me pyetjen e policit, Aida iu është drejtuar atij: A seriozisht po më pyet? Fatmiri: Je tu keshë shumë, mos kesh! Aida: Me çka po e matë që po keshi shumë?

Fatmiri: Me veshtë e mi!.Kaq ishte biseda mes Aidës dhe Fatmirit i cili pa hezituar edhe ia ka vënë gjobën prej 100 eurove vetëm pse ajo qeshi me zë.

E Aida, për gjithë këtë situatë edhe ka ironizuar me vendimin e policit në fjalë.

“Dënim me 100 euro gjobë, se po qeshesh me za! Dhunohet dhe vritet një fëmijë 12 vjeçar, policia e neglizhon rastin! Unë dënohem me 100 euro gjobë pse qesha me za!”, ka shkruar ajo.Tutje, ajo ka vazhduar se “1 person pa leje, me shpejtësi dyfish ma shumë se që është e lejume, i shkel 2 gra për vdekje; policia neglizhente sepse duhet me më denu mu të pacipën që po qeshi me za mas 12ve te natës! Tjetri e dhunon një të mitur, tjetri e mbyt gruan me femijë, krejt këto pasojë e neglizhencës së policisë sepse ma së lehti e ka me dalë në qytet e me më denu mu me 100 euro gjobë se qesha me za!”, ka shkruar ajo.