“Qeveri morti”: Vetëvendosje i jep epitete të rënda Qeverisë Hoti

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas 31 rasteve të vdekjeve të dy ditët më parë në Kosovë si pasojë e koronavirusit. Ata i kanë dhënë epitete të rënda Qeverisë së Kosovës, duke e quajtur’ Qeveria e mortit’.

Në një video të postuar në Facebook, partia e Albin Kurtit ka adresuar kritika ndaj Qeverisë Hoti për dështim në menaxhimin e pandemisë.

Ndër të tjera në këtë video thuhet se kjo qeveri morti që nuk di të menaxhojë me pandeminë, po e çon vendin drejt katastrofës humanitare.

“Kjo Qeveri morti që nuk po di të menaxhojë me pandeminë po e çon vendin drejt katastrofës humanitare. Këta duhet të largohet në mënyrë që të qeverisin me vendin ata që e dëshmuan se mund ta menaxhojnë suksesshëm pandeminë dhe ekonominë e vendit”, shkruan Vetëvendosje.

Vlen të theksohet që Vetëvendosje dhe i pari i këtij subjekti politik, epitete të tilla i ka dhënë kryeministrit Hoti edhe më parë, duke e quajtur ‘Qeveria Koti’, apo ‘kryeministri koti’ si dhe ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemajn, ‘ministri Zezaj’.