Qeveria duhet të bëjë gati edhe 60 milionë euro për “Bechtel & Enkan” për punë shtesë në autostradë

53 milionëshi nuk është pagesa e vetme që Qeveria e Kosovës do ta bëjë për kompaninë ‘Bechtel & Enka’, në muajt në vazhdim.
Deri në qershor, kompanisë amerikano-turke do t’i paguhen edhe mbi 60 milionë euro për punët shtesë në autostradën që e lidh Prishtinën me Shkupin.
Kjo do ta çojë në rreth 700 milionë euro koston e përgjithshme të kësaj autostrade, gati 100 milionë më shumë sesa që ishte kontrata fillestare.
Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka thënë në Interaktiv se shuma e pagesës shtesë do të varet nga raporti final i kompanisë mbikëqyrëse.
Por, në KDI thonë se Qeveria është dashur që, pas çdo segmenti të pranuar rrugor, të dalë me një përfundim se cilat ishin punët shtesë.
Lekaj ka kundërshtuar gjetjet e KDI-së, sipas të cilave, ministri nënshkroi një aneks-kontratë vitin e kaluar, me të cilën ia zgjati punimet “Bechtel Enkas”, duke thënë se kjo nuk ka ndodhur.
Ai ka thënë se brenda këtij muaji, përfundimisht, do ta marrë vendimin për gjobitjen e kësaj kompanie, pasi që ajo nuk i përfundoi punimet më 31 dhjetor, siç ishte paraparë me kontratë.
Në terren, kjo kompani po e vazhdon punën.
Të enjten, janë parë punëtorët e “Bechtel &Enkas” dhe makineritë e saj teksa po kryenin punë në autostradë dhe kjo është një pamje me të cilën banorët e Hanit të Elezit dhe Kaçanikut tashmë janë mësuar.
Vazhdimin e punëve, shkurt në një përgjigje të shkruar, e ka konfirmuar edhe vetë “Bechtel &Enka”.
Ela Ruci, pa dhënë detaje tjera, ka thënë se “Bechtel &Enka”, po vazhdon punën sipas kontratës me Qeverinë e Kosovës për përfundimin e kësaj rruge.

Lini një Përgjigje