Qeveria i reagon Gërxhaliut që tha se Haradinaj e izoloi Kosovën me taksë

0
214

Qeveria në detyrë i ka reaguar ish-kryetarit të Odës Ekonomike, Safet Gërxhaliut, që deklaroi ditë më parë se Ramush Haradinaj e ka izoluar Kosovën me vendosjen e taksës 100 për qind për produktet serbe e boshnjake.

Në përgjigjen e Qeverisë në detyrë shkruhet se ditëve të fundit, dikujt është duke i penguar forcimi i shtetit të Kosovës, sidomos subjektiviteti i Kosovës ndaj Serbisë.

“Kohët e fundit e sidomos gjatë ditëve të ambientit festiv të vitit të ri janë ngjallë disa zëra të shterur nga disa analistë të cilët po i pengon forcimi i shtetit të Kosovës e sidomos subjektiviteti i Kosovës ndaj Serbisë”, thuhet në përgjigje.

Tutje, nga zyra e kryeministrit, duke folur për deklaratat e Safer Gërxhaliut, kanë thënë se dikush në cilësinë e ekspertit është duke e promovuar idenë se taksa po e pengon zhvillimin dinamik të Kosovës.

“Tashmë është e qartë se dikush nën petkun e “ ekspertit” të ekonomisë po e promovon idenë se taksa 100% ndaj produkteve serbe po e pengoka zhvillimin dinamik të Kosovës.

Ky na qenka produkti i dijes së “ Ekspertit të Ekonomisë”. Sipas këtij konkluzioni rezulton se Kosova ka prosperuar më shumë në kohën kur i ka paguar taksa /lexo haraq /Serbisë se sa tani kur si shtet i pavarur aplikon masa mbrojtëse për ekonominë e vendit të vet”, thuhet tutje.

Qeveria në detyrë e Kosovës kanë deklaruar se zhvillimi ekonomik në vend nuk është rezultat si pasojë e zhvillimeve në tri vitet e fundit, por, i një periudhe nga e kaluara në okupim.

“Ne jemi të vetëdijshëm për nivelin e zhvillimit ekonomik e social të vendit.

Tani më opinion i gjerë e din se niveli i zhvillimit ekonomik nuk është rezultat dhe pasojë e zhvillimeve në tri vitet e fundit e as i periudhës së pavarësisë por i një trashëgimie nga e kaluara e gjatë nën okupim, pasojat e dhe dëmet e luftë . Këta ekspertë e nostalgjikë te mallrave serbe duhet ta dinë këtë”, thuhet tutje.

“Duam vetëm te ua kujtojmë se në tri vitet e fundit Kosova ka realizuar normë mesatare te rritjes së GDP mbi 4% (2019 – 4.2% ) mesatarisht ne vit, pra rritje stabile, jo ciklike. Më e larta në krahasim më të gjitha vendet e rajonit.

Kosova ka një stabilitet të sektorit financiar i cili krediton ekonomin e vendit duke ulur në vazhdimësi normat e interesit.

Hulumtimet e OEK-ut tregojnë që ndërmarrjet prodhuese ne Kosovë në këtë periudhe kane shtuar vëllimin e prodhimit, qarkullimit dhe te punësimit. Edhe hulumtimet e fundit në fund të vitit 2019 janë të të njëjtin rezultat”, kanë deklaruar.

Nga zyra e kryeministrit thonë se paraqitjet e tilla të Gërxhaliut janë në ndjekje të famës, e se nuk prodhojnë ekspertë por manipolues.

“Paraqitjet në ndjekje të famës nuk prodhojnë ekspertë por manipulues të manipuluar”, thuhet në përgjigje.

Ndryshe, pak ditë më parë, njohësi i ekonomisë, e ish-kreu i Odës Ekonimike, Safet Gërxhaliu ka deklaruar se Haradinaj me vendimin për taksë e ka shkatërruar ekonominë e Kosovës./GazetaExpress/