Qorrolli: Me votimin e Konjufcës, LDK e ka djegur Osmanin

0
203

Analisti politik, Vigan Qorrolli, ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës e ka djegur Vjosa Osmanin kur e ka votuar Glauk Konjufcën për kryetar të Kuvendit.

Në emisionin Zona e Debatit në Klan Kosova, Qorrolli ka thënë se votimi i Konjufcës ka qenë skenar i paramenduar dhe është bërë me vullnet të LDK-së.

“Qysh në negociatat e para kur mendohej për një koalicion parazgjedhor VV-LDK, problemi ishte çështja e postit të presidentit. Tradicionalisht LDK e ka vuajtur çështjen e votimit të Hashim Thaçit për president dhe ky karrem u pa si thikë me dy teha midis dy partive”.
“Ato flisnin për një qeverisje tetëvjeçare; ndërsa tani nuk po arrijnë një marrëveshje fillestare. Brenda LDK-së ka përplasje për çështjen e bashkëpunimit me VV-në. Ndërsa VV lidhet me idenë tek fuqia e saj elektorale”.

“Ajo që u prodhua si mundësi e shpresës për ndryshim, filloi të zbehet në momentin kur filloi të negociojë me LDK-në. Ka një hatërmbetje shumë të madhe për emërimin e Glauk Konjufcës për kryetar të Kuvendit. Tash VV nuk dihet nëse do të bëjë kompromise të reja”.

“Të gjithë kryeministrat e deri tanishëm kanë treguar se pjekurinë e marrin gjatë rrugës. Madje edhe Isa Mustafa kur kishte numrat e tij, dështonte në gjerat më absurde. Ne e kemi elefantin në dhomë dhe ky është dialogu me Serbinë”.

“Kurti është shumë i gatshëm për të qeverisur – nëse ai nuk mund të jetë kryeministri më i mirë – do të jetë i ngjashëm si të tjerët. Nëse flasim sonte se cili do të jetë skenari i daljes nga kjo krizë, unë mendoj se më reale janë zgjedhjet e reja sesa arritja e koalicionit. Mbetet të shihet nëse zgjedhjet e reja do të prodhojnë zgjidhje të reja ku do të eliminohen vijat e kuqe”.

“Kurti e ka parë ndryshe dhe i ka dalë ndryshe. Të dyja partitë kanë treguar mosbesim ndaj njeri-tjetrit dhe kur janë ulur në tavolinë – kërkesat kanë qenë të pasinqerta”.

“Votimi i Konjufcës ka qenë skenar i paramenduar dhe është bërë me vullnet të LDK-së. Aty nuk janë ngritur duart rastësisht – kjo është bërë me mirëbesim. Ata e kanë pasur paraprakisht të dakorduar që kryetari i Kuvendit t’i takojë LDK-së dhe kandidate ka qenë Vjosa Osmani. Me votimin e Glauk Konjuvcës, LDK e ka djegur Osmanin që është kundërshtuar nga Haziri dhe Veliu”.

“Në tryezën e bisedimeve tani LDK nuk mund ta kërkojë postin e kuvendarit. Haziri e ka të premtuar postin e kryetarit të LDK-së për hir të mbështetjes së kandidaturës së Osmanit për kryeministre”.