Qytetarët që furnizohen nga Badoci mbesin pa ujë, u dëmtua një gyp

0
233

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”(KRUP), njofton të gjithë konsumatorët që furnizohen me ujë të pijshëm nga sistemi i fabrikës së trajtimit të ujit Badoc, se para pak çastesh është dëmtuar edhe një gyp i ujit i çelikut me diametër fi 600 mm.

“Me këtë rast jemi detyruar të ndërpresim prodhimin e ujit nga fabrika e Badocit deri në sanimin final të gypit. Gypi në fjalë i cili furnizon një pjesë të madhe të kryeqytetit me ujë të pijshëm është dëmtuar nga kompania private “Gerlica”, përgjatë punimeve në rrjetin e kanalizimit, në afërsi të gypit tjetër të ujit me diametër fi 600 mm që ka pëlcitur gjatë orëve të hershme të mëngjesit të ditës së sotme”, thuhet në njoftim.

Tutje, thuhet se ekipe të shumta të departamentit teknik janë në dy vendet e ngjarjes duke tentuar që të sanojnë në kohë rekorde 2 gypat dhe që të dytë gypa të rëndësishëm magjistral, që janë furnizuesit kryesore të një pjese goxha të madhe të Prishtinës me rrethinë.

“Me shumë sinqeritet kërkojmë mirëkuptim nga konsumatorët që furnizohen me ujë të pijshëm nga sistemi i Badocit. Përjashtim nga mungesa e ujit bën vetëm Qendra Klinike Universitare e Kosovës QKUK-ja. Mbesim me shpresë që furnizimi me ujë të iu rikthehet shpejtë konsumatorëve edhe pse janë sanime të natyrës më të vështirë”, thuhet tutje.