Ragmi Mustafa: Shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë frikë të shkojnë në spitalet e Vrajës dhe Leskovcit

0
67

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar Ragmi Mustafa në RTV Dukagjini thotë se ka një rritje të numrit të infektimeve në Luginën e Preshevës por s’ka statistika të vërteta.

“Shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë frikë se nuk do të marrin shërbimet e nevojshme shëndetësore në spitalet e Vrajës dhe Leskovcit. Një numër i madh i shqiptarëve po shërohen në shtëpitë e veta pasi në spitalet e Vrajës dhe Leskovcit nuk ka asnjë mjek shqiptarë”, tha ai.

Mustafa thotë se frika e shqiptarëve ndaj këtyre spitaleve është e bazuar në politikat diskriminuese shtetërore ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar thotë se falënderon ministrin Zemaj për interesimin për shqiptarët e Luginës së Preshevës.

“Ministri Zemaj ka thënë se do të hapet një konkurs i veçantë ku do të kenë vend edhe specializantët nga Lugina e Preshevës”.

Mustafa thotë se kanë kërkuar nga Zemaj që edhe spitalet e Kosovës të jenë të gatshme që të trajtojnë edhe pacientët nga Lugina e Preshevës nëse këta të fundit shprehin gatishmëri.

“Me një bashkëpunim mund të ndërtohet në Kosovë një spital që do të trajtonte pacientët nga Lugina e Preshevës”, deklaroi ndër të tjera Ragmi Mustafa.