Rama del në rrugë për sensibilizimin e qytetarëve

0
184

Masat e ndërmarra deri më tani në parandalimin e përhapjes së koronavirusit, nuk kanë mjaftuar për kryeministrin Edi Rama.

Mëngjesin e kësaj të mërkure, kreu i qeverisë ka dalë vetë në rrugë për të inspektuar disa tregje të Tiranës e për t’i këshilluar personalisht të moshuarve të qëndrojnë në shtëpi.

I shoqëruar nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, Rama është ndalur te disa pensioniste të cilëve, me tone të ashpra u ka kërkuar të zbatojnë rregullat e vetëizolimit.

I vetëdijshëm se nuk do t’i shpëtonte syrit të qytetarëve detaji që ishte pa maska dhe doreza, kryeministri e dha paraprakisht përgjigjen se pse nuk ka qenë i pajisur me to, nëpërmjet një postimi në Facebook.

Sipas Ramës,maskat e dorashkat nuk janë për kalimtarët, por për të sëmurët, ata që kujdesen për një të sëmurë apo ata që e kanë punën me mundësi kontaktesh të afërta.

Kreu i qeverisë ka përsëritur edhe njëherë rregullat për kalimtarët sidomos distancën më shumë se 1m, mosdhënien e dorës dhe përdorimin e bërrylit nëse teshtijnë apo kolliten.

Tv Klan