Rama: Do të qeverisim deri kur të kemi vota në Parlament

860
Nga Përmeti, Kryeministri Edi Rama ka sulmuar sërish opozitën për veprimin ekstrem të djegies së mandateve dhe protestën e 16 Shkurtit. Në fjalën e tij, Rama tha se pamjet e dhunës në protestën e së shtunës së kaluar bënë xhiron e botës dhe kjo dëmton Shqipërinë.
Sipas Kryeministrit, muajt e parë të këtij viti flasin për shifra në rënie të turistëve, dhe kjo sipas tij, është efekti negativ i krizës politike në vend. Kryeministri Rama përsëriti se do të vazhdojë të qeverisë deri në fund të mandatit, pra deri në vitin 2021, dhe deri kur të ketë vota në Parlament.
“Kjo që na ka ndodhur javën e fundit të mos ju kushtojë njerëzve punëtorë të këtij vendi, të mos u kushtojë atyre që jetojnë me bujtinat. Të mos u kushtojë atyre që presin sezonin turistik. Të dhënat e muajve të fundit nuk janë si të dhënat e çdo muaji më parë. Ka një rënie. Siç ka një rënie edhe të konsumit në tërësi sepse ato pamje të eksportuara në botë nga ajo e shtuna ku u premtua përmbysje dhe u predikua dhunë nga fillim deri në fund duke nxitur disa qorra që t’i binin me kokë murit të Kryeministrisë janë pamje që dëmtojnë Shqipërinë, çdo njeri që jeton në këtë vend, dëmtojnë drejtpërdrejt edhe rrugëtimin tonë europian”.
“Cili shqiptar mund të pranojë që Shqipëria në 2019 të kërcënohet nga fantazmat e 1997? Kush mund ta hajë broçkullën që këta e bëkan këta për integrimin? E bëkan këta që të shpëtojnë Shqipërinë. Unë kam një detyrë për të kryer që na jep të gjithëve ne kontrata me shumicën e shqiptarëve, të qeverisim kur të mbarojë mandati ynë dhe deri kur të kemi votat në Parlament. Ne e kemi marrë këtë detyrë nga njerëzit dhe do ta kryejmë deri në fund. Nuk e kemi marrë këtë detyrë me gjasme, e kemi marrë me gjithë mend, me gjithë zemër, me mish e me shpirt”, u shpreh Kryeministri Edi Rama.
Dy ditë më parë, opozita hoqi dorë nga mandatet e deputetëve duke kërkuar qeveri teknike dhe zgjedhje të parakohshme. /tvklan.al/