Rama: Është koha që Shqipëria dhe Maqedonia të nisin negociatat me BE

0
344

Një ditë pasi priti në Tiranë Presidentin e Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, kryeministri shqiptar, Edi Rama nuk ngurroi ta thumbojë Komisionin gjatë një vizite në Londër, në selinë e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Në një panel me kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor, Edi Rama kërkoi që Shqipërisë t’i përcaktohet një datë për fillimin e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian, pasi sipas tij reformat e Shqipërisë janë mahnitëse, shkruan Top Channel.
“Serbia dhe Mali i Zi janë aktualisht duke avancuar në rrugën e negociatave dhe unë mendoj se është koha që edhe Shqipëria dhe Maqedonia të nisin negociatat. Dhe në të vërtetë, nuk e kuptoj këtë hetizim në disa kryeqytete për këtë hap sepse ajo çka ne po kërkojmë nuk është të bëhemi anëtarë, sot apo nesër. Por të nisim negociatat që të jemi në të njëjtën rrugë me vendet e tjera”.
“Kur vjen puna tek paratë, BE është koprac dhe kur flitet për bashkëpunim si inkurajimi I vendeve për të nisur negociatat, mendoj se duhet të jetë më shumë bujar sepse në fund, mendoj se Shqipëria dhe Maqedonia kanë bërë më shumë sesa thjesht detyrat e shtëpisë.
Ndaj apeli im për miqtë në Komision dhe në Bashkimin Europian do të ishte: Nëse s’keni më para për ne, është ok, por jini më bujarë, sepse kjo s’do t’ju kushtojë asgjë, por do të jetë më e rëndësishme për të pasur një Europë më të sigurtë”, deklaroi kryeministri shqiptar.