Rama në Athinë: Shqiptarët këtu qytetarë të barasvlefshëm të Greqisë, jo më shërbëtorët e tyre të dikurshëm

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë kanë qenë gjithnjë shumë më të lidhura sesa janë dukur, apo sesa janë lënë të duken nga retë, mjegullat dhe pluhurat e politikës së dy vendeve tona.

Në sallën “Christmas Theater” në stadiumin ‘Galatsi’ në Athinë, ku janë mbledhur mijëra shqiptarë, Rama tha jeta e përditshme mes shqiptarëve dhe grekëve, jashtë kafenesë së zhurmshme të interesave afatshkurtër të politikës dhe përtej pasqyrave të saj verbuese mediatike, vazhdon normale aktive dhe produktive.

“Përgjatë kësaj historie, fatet tona, zakonet, shtigjet e jetës, e rrugët e shtëpive tona, luftërat, vallet, këngët, përrallat, marrëdhëniet tona, kanë qenë gjithnjë shumë më të lidhura se sa janë dukur, apo se sa janë lënë të duken nga retë, mjegullat e pluhurat e politikës së dy vendeve tona”, deklaroi Rama.

Edhe sot që flasim, tha Rama, dy dekada e kusur pas ikjes së shekullit XX, dukja e marrëdhënieve tona thotë shumë më pak se realiteti, intensiteti, ndërthurja e jetëve dhe ndërlidhja e rrugëve të së ardhmes, pandashmërisht të përbashkët të shqiptarëve dhe grekëve.

“Në sipërfaqen e kulturës së shkruar të kohëve të sotme, ku kanalet e informacionit e rrjetet sociale i japin fytyrën e politikës së ditës kësaj marrëdhënie të lashtë, duke u ofruar njerëzve sufllaqe të nacionalizmit folklorik dhe rakinë e ciklit populist për t’u ngrohur parqeve elektorale dhe përgjumur trurin qytetar, duket sikur mes Shqipërisë dhe Greqisë ka pasur vetëm probleme të përjetshme ndërkohë jeta e përditshme mes shqiptarëve dhe grekëve jashtë kafenesë së zhurmshme të interesave afatshkurtër të politikës dhe përtej pasqyrave të saj verbuese mediatike, vazhdon normale aktive dhe produktive”, u shpreh kryeministri./atsh/

Lini një Përgjigje