Rama pranon ftesën e Kurtit: Sapo të kthehem nga Asambleja e OKB do ta vizitojë Kosovën

0
160

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i ka kthyer përgjigje Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili i kishte dërguar letër urimi për mandatin e tretë.

Përmes një postimi në “Twitter”, Rama ka shkruar se do ta vizitojë me kënaqësi Kosovën.

Këtë vizitë ai e paralajmëroi pas kthimit nga Asambleja e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).

“Faleminderit  @albinkurti ! Patjetër do ta vizitoj me shumë kënaqësi Kosovën, me t’u kthyer nga Asambleja e OKB! Le t’ia nisim menjëherë me përgatitjen e Mbledhjes së Përbashkët. Uroj me gjithë zemër dhe kam besim se do të bëjmë plot punë të mira në dobi të të dy shteteve tona”, ka shkruar Rama./Fokusi.info/

Në ndërkohë, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i ka dërguar letër urimi kryeministrit Edi Rama, me rastin e zgjedhjes për herë të tretë Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, njofton ZKM.

Kryeministri Kurti ka theksuar se ky mandat i tretë është po ashtu mundësi e tretë për të realizuar projekte të cilat kaherë priten nga shqiptarët në të dy anët e kufirit.

Ai ka shprehur gatishmërinë e tij të plotë dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës për rritjen e bashkëpunimit ekonomik, shkëmbimit tregtar dhe integrimin e tregut, duke hequr barrierat mes shqiptarëve.

Kryeministri Kurti i uroi suksese gjatë mandatit qeverisës dhe e ftoi Kryeministrin Rama të vizitojë Kosovën për të diskutuar rreth përgatitjeve për mbledhjen e përbashkët të të dy qeverive./Fokusi.info/