Rama takon kryeministrin e Kroacisë, bisedohet për Ballist Morinën

0
222

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar në Davos të Zvicrës një takim me Kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkovic, me të cilin bisedoi rreth marrëdhënieve mes dy vendeve.

Kryeministri kroat e siguroi Kryeministrin Rama për mbështetjen e vendit të tij për hapjen e negociatave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.

Nga ana tjetër, Kryeministri Rama bisedoi me homologun kroat edhe rreth çështjes se Ballist Morinës, për të cilin kreu i ekzekutivit shqiptar kërkoi një vendimmarrje të drejtë dhe të ndershme nga ana e autoriteteve kroate, shkruan Express.

Kryeministri Plenkovic e siguroi zotin Rama se rasti i Ballist Morinës do të trajtohet me kujdesin maksimal dhe në respekt të legjislacionit dhe konventave ndërkombëtare. Kryeministri Rama u takua gjatë forumit ekonomik të Davosit edhe me kryeministrin hollandez, Mark Rutte, me të cilin bisedoi mbi ecurinë e Shqipërisë në rrugën e integrimit europian dhe rëndësinë strategjike të çeljes së negociatave për anëtarësim, jo vetëm për vendin tonë, por për të gjithë rajonin, raporton Express.

Aktualisht Morina ndodhet në pritje të vendimit të ministrit të Drejtësisë së Kroacisë nëse do ta vendosë pro ekstradimit apo do ta bllokojë, pasi gjykatat Supreme i hapi rrugën dërgimit në Beograd. Morina akuzohet nga Serbia për ngritjen e dronit, por Shqipëria vijon lobimin për të bllokuar ekstradimin, që ndodhet në dorë të ministrit kroat.