Rama zbulon 3 kategoritë që nuk do paguajnë qiratë për dy muaj

Familjarët që kanë humbur punën për shkak të epidemisë, studentët që janë larguar për shkak të epidemisë dhe bizneset e vogla me xhiro 14 milionë lekë dhe që u është pezulluar puna, nuk do të paguajnë qira për muajin prill dhe maj.

Kështu deklaroi kryeministri Edi Rama në një lidhje me skype në emisionin OPINION. Sipas kryeminstrit, nëse qiradhënësit nuk pranojnë, ata do të gjobiten me pesëfishin e vlerës së qirasë.

“Të gjithë qiramarrësit individë që kanë kontratë qiraje për banëse përpara shpalljes së gjendjes së epidemisë, por që kanë kontratë pune të pezulluar për për shkak të COVID-2019 nuk do ta paguajnë qiranë për 2 muaj, prill maj. E njëjta gjë dhe për studentët.

Ndërkohë edhe të gjithë bizneset e vogla me xhiro 140 milionë lekë nuk do ta paguajnë qiranë për 2 muaj”, tha Rama.

Por a falen qiratë?

Kreu i qeverisë tha se nuk bëhet fjalë për falje të qirave, por për pezullim të tyre. Pas dy muajve, ato do të paguhen në mënyrë proporcionale

“Detyrimi i mbetur do të paguhet pas muajit maj 2020. Qiramarrësit që kanë problem t’i drejtohen Tatimeve dhe qiradhënësit do gjobiten me 5 fishin e vlerës. Pra jemi në kushtet e një lufte. Pas dy muajve, në mënyrë proporcionale do të paguajnë detyrimet”, tha Rama.