Reagon DnV: Vjosa Osmani të përmbahet nga deklaratat që cënojnë pavarësinë e KQZ-së

Demokracia në Veprim ka reaguar pas deklaratës së Vjosa Osmanit për zhvillimet e djeshme në KQZ.

DNV me anë të një komunikate për media ka thënë se po i ndjek me shqetësim zhvillimet e fundit lidhur me certifikimin e listave të kandidatëve si dhe deklaratat që vijnë nga institucionet dhe partitë lidhur me këtë proces.

“Demokracia në Veprim është duke ndjekur me shqetësim zhvillimet e fundit lidhur me certifikimin e listave të kandidatëve dhe deklaratat që vijnë nga institucionet e ndryshme dhe partitë politike lidhur me këtë proces”, thuhet në reagim.

DNV në këtë kontekst ka kërkuar nga u.d e presidentit, Vjosa Osmani që të përmbahen nga deklaratat që mund ta cënojnë punën e KQZ-së.

“DnV rithekson nevojën që U.D. e Presidentit të Kosovës të ushtrojë funksionet e saj kushtetuese, pavarësisht faktit që e njëjta është pjesë e garës zgjedhore, duke mos u përfshirë në debate politike dhe të ruajë frymën e këtij institucioni si përfaqësuese e unitetit qytetar”, thuhet në reagim.

Postimi i plotë:

Demokracia në Veprim është duke ndjekur me shqetësim zhvillimet e fundit lidhur me certifikimin e listave të kandidatëve dhe deklaratat që vijnë nga institucionet e ndryshme dhe partitë politike lidhur me këtë proces.

DnV kërkon nga institucionet, e në veçanti nga Ushtruesja e Detyrës së Presidentit, që të përmbahen nga deklarata dhe veprime të cilat mund të cenojnë pavarësinë e punës së KQZ-së dhe vet integritetin e zgjedhjeve. Kërcënimet publike janë të papranueshme dhe të patolerueshme dhe të tillat nuk përkojnë me vlerat dhe avancimet që Kosova ka pasur përgjatë viteve të fundit në organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve. E gjithë kjo situatë e krijuar rrezikon të krijojë tensione dhe paqartësi në mesin e qytetarëve, duke ndikuar në uljen e besimit publik në zgjedhje.

Është përgjegjësi dhe obligim i të gjitha institucioneve që të ndjekin rrugët ligjore dhe procedurat ankimore të parapara në ligj, në rast të pakënaqësive me vendimet e institucioneve, e të mos përdorin kërcënimet publike si mënyrë për adresimin e pretendimeve të tyre për shkelje ligjore.

DnV rithekson nevojën që U.D. e Presidentit të Kosovës të ushtrojë funksionet e saj kushtetuese, pavarësisht faktit që e njëjta është pjesë e garës zgjedhore, duke mos u përfshirë në debate politike dhe të ruajë frymën e këtij institucioni si përfaqësuese e unitetit qytetar. Presim nga U.D. e Presidentit që të orientojë debatin drejt arritjes së unitetit politik dhe gjetjes së një gjuhe të përbashkët, duke garantuar funksionimin kushtetues të institucioneve. DnV rithekson se rruga ligjore është ajo që secili institucion duhet të ndjek në adresimin e pakënaqësive të tyre.

Është obligim i udhëheqësve të institucioneve që të garantojnë se procesi zgjedhor do të zhvillohet sipas standardeve më të larta demokratike, duke respektuar ligjet dhe obligimet e tyre kushtetuese.