Reagon kardiologu Gani Bajraktari, suspendimin e quan hakmarrje ndaj tij

Kardiologu Gani Bajraktari ka reaguar lidhur me suspendimin e tij nga SHSKUK-ja. Ai ka deklaruar se vendimi për suspendimin të përkohshëm nga puna është bërë në kohën që kam qenë në pushim vjetor.

Bajraktari suspendimin e quan si formë të hakmarrjes ndaj tij.

“Unë nuk e di se cili është preteksti që kësaj radhe kanë gjetur ky menaxhment, ndërkaq motivet janë ato tashmë të njohura jo vetëm për mua por edhe për publikun: hakmarrja!”

Reagimi i plotë i Gani Bajraktarit:

Të dashur miq. Nga mediat mora vesh së sërish SHSKUK paska marrë një vendim për suspendimin (largimin) tim të përkohshëm nga puna, duke qenë në pushim vjetor nga data 3 prill !

Suspendim nga puna pa Komision Displinor në Pushim Vjetor, për arsye të panjohura për mua! Kjo, le që nuk ndodh në vendet demokratike, por nuk ka ndodhur as në ato totalitare, në të cilat kemi kemi kaluar një pjesë të jetës!

Unë nuk e di se cili është preteksti që kësaj radhe kanë gjetur ky menaxhment, ndërkaq motivet janë ato tashmë të njohura jo vetëm për mua por edhe për publikun: hakmarrja!

Hakmarrja, kësaj here është motivuar edhe më shumë, pas publikimit të rezultateve të studimit të publikuara kohë më parë lidhur me rritjen e vdekshmërisë për më shumë se 50% tek pacientët me infarkt akut të miokardit, pas ndarjes enigmatike dhe misterioze të Klinikës së Kardiologjisë (përkundër 4 kundërshtimeve të mbi 90% të kardiologëve të QKUK, sepse një model i tillë nuk ekziston askund në botë!!), e duke shkaktuar kështu mbase skandalin më të madh në mjekësinë e pasluftës sa i përket jetërave njerëzore. Përftohet përshtypje se autori i ekzekutimit të këtij vendimi (akoma të panjohur për mua) është autori i njëjtë me atë të ndarjes së Klinikës (autori akoma ka mbetur anonim për komunitetin kardiologjik).

Edhe këtë herë, unë ndihem shumë i qetë sepse e di që jam përsëri i pastër si loti (si në tërë jetën time), ndërsa më vjen keq për institucionin sa keq është katandisur nën dhunën dhe terrorin që ushtrohet ndaj profesionistëve në kohën e dështimit më të madh menaxherial që nga paslufta kur pacientët porositën të blejnë jo vetëm barnat por edhe dorëzat për personelin, nga ata që ishin të njohur si më papunëtorët dhe shantazuesit më të mëdhënj të punës në këtë institucion ndër vite!

Unë sërish do të fitoj edhe këtë rast, çfarëdo që mund të ju këtë pjellur mandja atyre që e kanë dërguar në Komision Disiplinor, ashtu siç fitova 4 rastet e dërgimit në Komision Disiplinor dhe 3 rastet e dërgimit në polici nga i njëjti person (i cili nuk le gur pa levizur per te me gjetur nje gabim dhe s’po arrin dot), anipse ai ka pas vete një armatë të tërë shtetërore e unë jam i vetëm: sepse unë përsëri jam i sigurtë se ama as edhe shkeljen më të vogël administrative nuk e kam bërë as sot, as dje, as për jetë e mot!

Ky është shembulli më i keq i institucioneve të Kosovës, të cilët nuk mund të kthejnë shpresën duke mbajtur seanca të jashtëzakonshme në Kuvend, por duke mos lejuar që të tallen me këto institucione dhe paratë e taksapaguesve njerëzit e papërgjegjshëm dhe të pandërgjegjshëm, siç është firmosësi i vendimit, të cilin unë akoma nuk e kam parë!

Me respekt per te gjithe Ju!

Gani Bajraktari

Lini një Përgjigje