Reagon Kryeministri Haradinaj për grevën e mësimdhënësve

Sot mësimdhënësit e ndërrimit të paradites në orën e parë nuk kanë mbajtur mësim. Të njëjtën gjë do ta bëjnë edhe mësimdhënësit e ndërrimit të pasdites.

Kjo formë e grevës po mbahet me kërkesë të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), të cilët kanë kërkuar që të respektohet marrëveshja e nënshkruar me përfaqësuesit e Qeverisë.

Drejtuesit e  SBASHK-ut  kanë deklaruar se nëse Qeveria nuk reflekton, një grevë e tillë do të mbahet edhe më 20 shkurt në dy orët e para.

Mirëpo, Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, sot përmes një njoftimi në rrjetin social “Facebook” ka deklaruar se gjatë ditëve në vijim do t’i takojë përfaqësuesit e SBASHK-ut dhe bashkërisht me ta do të punojnë në trajtimin e kërkesave me qëllim të realizimit të tyre, por edhe në përmbushjen e obligimeve si shtet.

Haradinaj ka theksuar se njohja e sakrificës së mësimdhënësve të viteve të ’90-ta ka një rëndësi të veçantë.

Postimi i plotë i Haradinajt në “Facebook”:

“Duke marrë parasysh sakrificën e të gjitha segmenteve të shoqërisë sonë, Qeveria e Kosovës ishte dhe mbetet e përkushtuar që t’i trajtojë me prioritet kërkesat dhe nevojat e të gjitha kategorive të lirisë. Tashmë një pjesë e këtyre kategorive kanë mbështetjen e plotë ligjore.

Në këtë frymë të përkushtimit, njohja e sakrificës së mësimdhënësve të viteve të ’90-ta ka poashtu një rëndësi të veçantë. Mësimdhënësit e viteve të ’90-ta ishin shtylla e papërkulur e rezistencës sonë.

Gjatë ditëve në vijim do t’i takojë përfaqësuesit e SBASHK-ut dhe bashkërisht me ta do të punojmë në trajtimin e kërkesave me qëllim të realizimit të tyre, por edhe në përmbushjen e obligimeve tona si shtet”./Fokusi.info/

Lini një Përgjigje