Reka: Tri vendimet sovrane të Kosovës, dridhën tri shtyllat e dialogut të Brukselit

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Blerim Reka, ka thënë se për vetëm tre muaj, tri vendime sovrane të shtetit të Kosovës dridhen tri shtyllat e dialogut të Brukselit.
“Taksa, Ushtria dhe Trepça; kontestuan virtualitetin, neutralitetin dhe asimetrinë e këtij dialogu. Bazuar në preambulën virtuale të kushtetutës serbe, BE-ja mbajti qëndrim neutral statusor ndaj Kosovës (‘fusnota’) dhe inauguroi negociata asimetrike midis dy palëve të pabarabarta. Serbisë, me kushtetutë të skaduar, që prodhoi blofin për ‘negociatat me krahinën’; dhe Kosovës, e cila po përsërit, se janë të panegociueshme territori, sovraniteti dhe pasuritë e saj natyrore”, ka thënë Reka përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka theksuar se për zhbllokim të dialogut, Kosova edhe mund ta pezullonte përkohësisht taksën, me kusht që Serbia të ndryshojë preambulën e vet kushtetuese.
“Maqedonia ndryshoi kushtetutën dhe emrin, për të hyrë në NATO dhe BE. Serbia, nëse jo tash (pse e kërkon Kosova), do të detyrohet ta ndryshojë kushtetutën e vet, pse këtë do ta kërkojë me vonë Brukseli (kapitulli 35). BE-ja nuk anëtarëson shtete me territor të padefinuar. Prandaj, Serbisë i ngutet që ‘marrëveshja finale’ t’i finalizojë edhe kufijtë”, ka thënë profesori Reka.