Reshitaj: Gjatë vendosjes së qytetarëve në karantinë u përdorën standarde të dyfishta

0
96

Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale Albena Reshitaj, ka deklaruar se ka pasur shkëputje të hallkave të bashkëpunimit me rastin e vendosjes së qytetarëve në karantinë. Ajo tha se ka pasur edhe standarde të dyfishta në vendosjen apo jo të qytetarëve në karantinë, të cilët kanë ardhur në Kosovë nga vendet e tjera.

Këto komente Reshitaj i ka bërë pas takimit që kanë pasur me menaxherin e Qendrës së Karantinës, Valdet Hashani dhe menaxherin e Qendrës Operative, Pashk Buzhala. Ajo tha se nga të dy kanë kërkuar të dinë nëse ka pasur shkelje të procedurave gjatë menaxhimit të këtyre dy qendrave.

“Ne e kuptuam që ne menaxhimin e të gjithë kësaj hallke zinxhirore ka pasur shkëputje të hallkave të bashkëpunimit, të komunikimit, ka pasur standarde të dyfishta të vendosjes apo të largimit të individëve jashtë kësaj qendre. Gjithashtu, ka pasur raste kur ne ende do të duhet të informohemi, kërkuam informatat nga akterët tjerë përgjegjës që janë në pjesën kur qytetarët tanë kanë arritur në aeroportin e Kosovës dhe janë kontrolluar nga ekipet mjekësore, pastaj nga ekipet mjekësore se si është bërë përcjellja përgjegjësia në institucione të tjera. Pasi që, ka qytetarë të vendit të cilët janë larguar menjëherë nga aeroporti i vendit, kurse një pjesë tjetër është vendosur që të dërgohen në karantinë. Në bazë të informatave që i morëm del që afër 50 përqind e qytetarëve të vendit të cilët janë karantinuar në Qendrën e Studentëve thuhet se kanë qenë të sëmurë, kjo shifër të lënë të dyshosh nëse më shumë se gjysma e qytetarëve të cilët janë karantinuar paskan pasur arsye të sëmundjeve të ndryshme për t’u larguar”, tha ajo.

Shqetësuese për ta tha se është lirimi i përcjellësve të personave të cilët janë liruar. Ajo tha se kanë kërkuar përgjegjësi se me çfarë arsyetimi profesional janë larguar përcjellësit e personave të cilët është vendosur të largohen.

Po ashtu, Reshitaj tha se gjatë kësaj kohe ka pasur lëshime gjatë vendimeve, derisa ka përmendur që ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, ka nënshkruar dokumente ku është paraqitur diagnoza profesionale mjekësore.

“Një përgjegjës institucional që mbanë përgjegjësi politike i ka dhënë vetës të drejtë të nënshkruaj mbi një dokument në të cilin paraqiten diagnoza profesionale mjekësore, e aq më shumë që janë diagnoza specialistike psikiatrike. Prandaj, ne si deputetë jemi të interesuar që të zbardhet e vërteta, të kemi transparencë mbi atë nëse më të vërtetë të gjithë këta individ të cilët janë liruar kanë pasur arsyeshmëri profesionale, mjekësore dhe nëse janë shënuar diagnoza edhe tek njerëzit të cilët nuk posedojnë sëmundje të tilla…Është ministri Vitia i cili ka nënshkruar një dokument, ky është dokumenti. Në fakt unë i kam dy dokumente, mirëpo për etikë mjekësore nuk do t’i prezantoj para jush meqë qenkan edhe emrat e personave të cilët janë diagnostikuar. Mirëpo, dokumenti përmend emrat e personave, diagnozën e tyre që kanë probleme psikiatrike dhe është i nënshkruar nga vet ministri Vitia, ky dokument nuk është i nënshkruar nga profesionistët mjekësor”, tha ai.

Sa i përket rastit të 26 vjeçarit nga Gjilani që është hedhur nga kati i katërt nga Qendra e Studentëve, ajo tha se po presin nga Prokuroria e vendit që të del me një raport profesional të tyre.