Risi: Novelë grafike për Adem Jasharin

Para pak ditësh ka dalë nga shtypi dhe i është ofruar publikut një formë e re e komunikimit me lexuesit (e çka është me rëndësi të veçantë),  mundësia  e komunikimit me lexuesit e rinj. Forma e re e komunikimit na paraqitet përmes një zhanri jo të popullarizuar tek ne – përmes novelës grafike.

Autori Bujar Qeriqi dhe shtëpia botuese “Magjia e Librit” e sjellin para jush të parën novelë grafike në gjuhën shqipe që i kushtohet luftës heroike të Adem Jasharit dhe familjes së tij. Kjo novelë grafike është një medium, i cili edhe në mënyrë vizuale ua bën më të afërt gjeneratës suaj atë pjesë të lavdishme të historisë sonë.

Libri është punuar me kujdes të veçantë si për nga pamjet vizuale, po ashtu edhe përmbajtja e tekstit.

Në kuadër të librit do ta gjeni edhe redaktuarën e shkruar mjeshtërisht nga Valon Murati të titulluar: Sakrifica si vlerë universale njerëzore.

Në fillim të kësaj përmbajtjeje Valon Murati shkruan:

“Të dashur lexues të rinj. Ju nuk e keni përjetuar luftën dhe keni lindur në Kosovën e lirë. Shpresoj shumë që duke e dashur lirinë tonë, e duke e respektuar sakrificën e madhe të gjeneratave të popullit shqiptar që luftuan për të, nuk do të kemi nevojë më për të luftuar. Por edhe pse po rriteni në paqe e liri, duhet të dini se rritja e juaj në paqe e liri nuk erdhi si dhuratë e askujt, por si produkt i luftës së gjatë të popullit tonë për liri e që në fund u ndihmua edhe nga shtetet më demokratike të botës”.

Libri kushton 3 euro që do të thotë se mund ta përballojë buxheti i çdo familje shqiptare. /fokusi.info/