Rrahman Jasharaj po lyp pare, Kryeministri po lyp bela!

0
209

Shkruan: Kimete Berisha

Albin Kurti po e paguan belanë me pare.

‘Ti lypës e unë përderës’: asnjërit s’ka kush ua jep atë që po e lypin.

– I quan analfabetë – mësimdhënësit durojnë.
– I nënçmon dhe i braktis – mjekët e infermierët durojnë.
– Administratën e quan ‘të poshtër’, por administrata nuk e prishin qetësinë:
– Po thu që jemi të poshtër, a’!

Nuk thotë 80 ose 90 për qind, por thotë 83 për qind e administratës janë qenie politike.
I ka numëruar.

– Duhet të jemi qenie apolitike?

– I fyen diasporën- ata vazhdojnë t’ia financojnë fyerjet.

Askush nuk ia jep atë qē e lyp -belanë.
Askush nuk e merr seriozisht, aq seriozisht sa të provojë t’ia rrëzojë qeverinë.

As nuk e duan.
As nuk i tutën.
As nuk e marrin seriozisht.

– Fol, Makiavel!

Kur nuk të marrin seriozisht – të lënë varur, nuk ta prejnë konopin,
pra, Albin Kurti sot e ka veç një armik që mund ta shpëtojë nga vetvetja: Albin Kurtin.

Është kryeministër, dhe po prishet me të gjithë përnjëherë – në kërkim të një armiku që ia
merr pushtetin me dhunë.

Kryeministri po provokon dhunë dhe luftë qytetare: por askush nuk është i disponuar për të vdekur.
Mos ia jepni atë kënaqësi. Kushdo që e rrëzon – e përtrinë, e shpëton.

Lëreni të vuaj.

– Sot, i pashë dy lypës që i ankoheshin njëri-tjetrit për krizën ekonomike.
Ka rënë mëshira në nivelet më të ulta.
Njëri lyoës e mblidhte mëshirën në kutinë e zbrazur të Iphon-it, e tjetra lypëse në të Samsung-ut.

Në lajme, e pashë Kryeministrin që e imitonte të folmen e kryesindikalistit.
I ka ardhur shumë mërzi që e ka quajtur ‘vëlla’.
Kur dikush e tëhollon zërin kur e citon dikë-do me thënë- e përbuz.

Vëlla – përdoret për t’iu drejtuar dikujt me ngrohtësi, në mënyrë familjare e miqësore.

Edhe unë e kam mërzi të folmen familjare me njerëz të huaj, sepse është e rrejshme.

– Në Institucionet e Kosovës ndodh që zyrtarët e thërrasin njëri-tjetrin: axhë, teze, hallë…e sidomos ‘shoqe’.
Dashnia është aq e madhe, para shpërthimit, sa që gratë e quajnë njëra-tjetrën ‘shoqe’ kurse shokët e ngushtë (më të sinqertë) e quajnë njëri – tjetrin ‘o budallë’!

Neve, na vjen shumë mërzi kur na quajnë ‘zojë’.
T’kish qenë bile që na thërrasin ‘zonjë’, po e theksojnë ‘ö-në, iu teket – të quajnë zojë’.

E kanë marrë zanat, shqiptarët gjithkund dhe gjithkë’ e thërrasin zojë: ‘jo – zojë’, ‘po – zojë’, ‘fol – zojë’, ‘a mundem me t’ndihmu zojë’!

‘Zojë e ranë’, ‘zojë e shehrit’, ‘ashtin-zojë’, këto janë shprehje që ta kujtojnë një grua bukur të moshuar (pronare ape bashkëpronare e një bunde të bardhë), por e mirëmbajtur, që lëviz, ec dhe flet ngadal.

Taksistët, mjeshtrit, besimtarē të thërrasin ‘motër’ ‘hajde motër’ se u nisëm…
për të krijuar besim;
kurse në treg të thërrasin ‘kojshike’, që me kriju edhe distancë edhe respekt.

Në butiqe vajzat e gratë të thërrasin ‘zemër’, që më së shumti e kam mërzi.
Njërës, një herë në një dyqan, m’u tek: ‘po, zemër’, ‘jo zemër’, dhe kur e pashë qē s’po ka të ndalur, me zë të lartë i thashë: ‘Nuk më ke zemër. Mos më quaj ti mua zemër’.,

Sa më shumë që s’duhen njerëzit – aq më shumë e degradojnë dashurinë.
Dashuria është e shenjtë dhe e kisha mbrojtut me Ligj.
Të rrallë kishin qenë ata shqiptarē që ua kisha ‘dhënë’ lejen të flasim për dashuri.

Rrahman Jasharaj nuk ka pse e quan ‘vëlla’ Albin Kurtin, se nuk e ka vëlla.
Askush vëllaun nuk e thirr vëlla, por e thirr me emër.

Afërsia falls nuk krijohet shpejt, aty për aty , me fjalë boshe dhe me shprehje folklorike.

Lypësar nuk je, mëshirë mos lyp, mos e lut.

Që Rrahman Jasharaj e ka lutur kryeministrin për ndihmë tregon se nuk ka prapavijë (siç po thotë kryeministri).

Se, të isha unë në krye të sindilatave do t’i lypja diçka që nuk do të mund të ma jepte: kjo quhet hile!!

Kryeministri nuk e ka obligim moral por e ka detyrë ta zgjidh problemin e grevës në arsim.

Është fakt, e vërtetë e dhimbshme se shqiptarët janë varfëruar shumë, se kemi nevojë për ndihmë.

E jo, nuk zbutet djalli me fjalë..
Mundohesh të krijosh afërsi, i thua ‘vlla’ dikujt që vëllain e tij (para kamerave) e ka takuar në sheshin Nëna Terezë e nuk e ka përshëndetur.

Çka është vëllazëria?
Krejt drama shqiptare e ka rrënjën te ndarja e vëllezërve.
Aty lind ndjesia e hiles me rastin e ndarjes së pasurisë dhe ajo ndjesi nuk hiqet kurrë më.

Dashuria është ilaç. Nuk mund ta përdorësh për të kryer punë.

– Albin Kurti na ka mashtruar, anipse e kemi ditur se aty ku ka dredhëza shumë duhet ta marrësh shportën e vogël.

Edhe unë i kam mashtruar shumë votues, kur u kam thënë (dhe organizuar) ta votojnë Albin Kurtin, nisur nga prindërit e mi, vëllezërit, motrat, familjen e gjërë, krejt kë e kam njohur dhe sidomos lexuesit.

Shpejt e kam kuptuar, menjëherë e kam kuptuar se jam mashtruar, se e kam përkrahur një lloj të njeriut që Zoti e urren më së shumti – mosmirënjohësin.
Më ndodhi ajo që nuk e prisja: Deves ia vuri përpara gonarin që ta prijë.

Jeta është e poshtër. Çdo gjë e rrejshme bie, dhe në fund mbetet vetëm e vërteta. E, e vërteta kurrë nuk duket e bukur.

I dini ato stereotipet, kur e takon dikë, dhe ia nis miqësisë, aq shumë të magjeps e të mashtron, ose e mashtron ti, sa në një çast personi i kundërt të thotë ‘ku je kanë deri tash’.
Demek, a është e mundur që ekziston dikush si ti.
Pasi çuditet me mrekullinë tënde – zhduket, ose Ai ose çudia.

P.S. I don’t need no arms around me.
And I don’t need no drugs to calm me.
I have seen the writing on the wall.
Don’t think I need anything at all.