Rreziku nga COVID-19 për ata që janë në qeli, ministrja Gjonaj: Jo arrest me burg, të aplikohen dënime alternative

0
229

TIRANË – Për të mbrojtur 5200 persona që ndodhen të dënuar e paraburgosur si dhe stafin në shërbim të tyre prej 4050 punonjësish, Ministria e Drejtësisë kërkon nga prokuroria dhe gjykatat të aplikojnë masat e dënimit alternativ.

Në letrën e cila është siguruar nga ReportTv rezulton se prej 3 ditësh më 14 mars Etilda Gjonaj ja ka përcjellë kërkesën Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe institucioneve të drejtësisë.

Gjonaj kërkon nga prokuroria dhe gjykata të inkurajohen për zbatimin e masave alternative ndërsa shkruan se “kërkojmë angazhimin tuaj maksimal për të vepruar në një kohë sa më të shpejtë, me qëllim parandalimin e rritjes së numrit të personave që vuajnë dënimin në institucionet e vuajtjes së dënimit, kjo dhe në kuadër të nevojës së përballimit të pandemisë globale me të cilën po përballemi dhe rrezikut që ekziston për infektimin e personave që ndodhen aktualisht në këto institucione nga personat që futen rishtazi‘‘.

Ndërkohë ReportTv mëson se çdo person që arrestohet apo futet në paraburgim ai i nënshtrohet menjëherë një kontrolli mjekësor për vlerësimin e gjendjes së tij dhe nëse ka apo jo simptoma të COVID-19.