Rriten çmimet e derivateve në Kosovë

Një nga gjërat të vetme pozitive që patëm nga muajt e parë të pandemisë COVID-19 në vend ishte padyshim ulja e çmimeve të derivateve anembanë vendit.

Thuajse si kurrë më parë qytetarët mund të shërbeheshin me çmime jashtëzakonisht të volitshme për të mbushur automjetet e tyre.

Por tashmë çmimet kanë ndryshuar dhe pati një ngritje mjaftë të madhe gjatë ditëve të fundit.

Çmimet tani për tani sillen kësisoj: Dizelli 0.91 cent deri në 1 euro, kurse Benzina 0.94 cent deri në 1.1 euro.

I kontaktuar nga lajmi.net, Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani deklaroi se çmimi vazhdon të përcaktohet nga Berza dhe Organizata prodhuese OPEC.

“Shkaku i pandemisë është zvogëluar prodhimi nga organizata prodhuese OPEC dhe pati tani kemi rritje të çmimit”, tha ai.

Por gjithashtu Berjani bëri të ditur se qytetarët e Kosovës janë duke u shërbyer me çmimin më të lirë në regjion, duke mos përfshirë këtu Maqedoninë e Veriut, e cila e ka akcizën për 0.22 cent më të ulët.

“Sot çmimet në Shqipëri sillen: Dizell 1.20 cent kurse Benzina 1.22 cent”, shtoi ai.

I njëjti shtoi se është e vërtetë që ka ngritje të çmimit të derivateve krahasuar me kohën e pandemisë në fillim, ku çmimi ishte 0.80 cent.

“Sepse ka ndiku pandemia dhe ka pas prodhim të lartë nga organizata prodhuese dhe çmimi ka qenë më i ulët”, shtoi ai.

Ndryshe duhet përkujtuar që javë më parë lajmi.net ka raportuar për cilësinë e derivateve në vend si dhe keqpërdorimet të cilat po bëhen në këtë kuadër e ku shumë qytetarë po vazhdojnë të mashtrohen nga përzierja e derivateve me vajra të ndryshme.

Furnizimi me derivate vazhdon të jetë shumë e lartë në vend, duke pasur parasysh edhe numrin e madh të automjeteve të cilat janë në përdorim çdo ditë nga qytetarët.