Rriten kërkesat kreditore për blerje të shtëpive e banesave

0
74

Kosovarët i kanë rritur kërkesat për marrje të kredive, me qëllim të blerjes së shtëpive të banimit.

Kështu thuhet në Anketën e Kreditimit Bankar të Bankës Qendrore të Kosovës, ku specifikohet se kërkesat më të mëdha janë për blerje të shtëpive të banimit. Te kreditë për patundshmëri, kërkesat kanë rritje me indeks pozitiv 0.50, ndërsa me 0.36 janë rritur kërkesat për kredi konsumuese.

Raporti i BQK-së nxjerr në pah disa arsye më kryesore për këtë.

“Faktori me ndikimin më të lartë ishte perspektiva e favorshme e tregut të patundshmërive me indeks pozitiv prej 0.31, pasuar nga rritja e konfidencës së konsumatorëve dhe nevoja për financim të konsumit”, thuhet në të, njofton Klan Kosova.

Në agjencinë ACESS, që merret me patundshmëri, thonë se gjatë periudhës së fundit, janë ulur edhe çmimet deri në dhjetë përqind.

Drejtori i kësaj zyre, Burim Halili, tregon se pandemia e ka ndryshuar mënyrën e blerjes së banesave.

“Ata që jetojnë në Kosovë janë blerës që një pjesë të tyre e kanë marrë me kredit, kurse ma herët i kanë ble me cash”, shton ai.

Sipas BQK-së, edhe bankat i kanë lehtësuar kushtet dhe rregullat e dhënies së kredive, kryesisht përmes uljes së normës së interesit.