Rritja e pagave të qeveritarëve po e çon Kosovën drejt shpërthimit social

0
607
Kosova gjendet në fazën më kritike që nga paslufta. Grevat e protestat e të gjithë sektorëve, jo vetëm që nuk po ndalen, por ka tendecë të fuqishme të zgjerimit të tyre. Pakënaqësitë natyrisht që rrjedhin nga varëfëria e papunësia e madhe.
Të dhënat e fundit të cilat i ka publikuar Banka Botërore, tregojnë se varfëria në Kosovë ka shënuar rritje. 52 për qind e popullatës jeton në varfëri, ndërsa 15 për qind të tjerë jetojnë në varfëri të skajshme. Ndërkaq ndërprerja dhe bllokimi i procesit të privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore, në masë të madhe ka rritur numrin e të papunëve dhe ka ndikuar edhe në rritjen e varfërisë, thotë Mustafë Ibrahimi, nënkryetar i Odës Ekonomike të Kosovës.
Muhamet Sadiku, ekspert për çështje ekonomike tërheq vërejtjen se pakënaqësitë sociale mund të shpërthejnë:”Në takime të ndryshme shpesh herë bisedohet se Kosova mund të përballet me ndonjë bombë sociale. Kjo do të thotë se niveli i pakënaqësisë së kosovarëve me gjendjen sociale dhe ekonomike në Kosovë është duke u rritur me të madhe. Në bazë të sondazheve dhe analizave që ka bërë RIINVEST-i del që 73 përqind e kosovarëve nuk është e kënaqur me situatën sociale. Dhe kjo si rezultat i thellimit, i përkeqësimit të situatës sociale në përgjithësi dhe në veçanti rezultat i përkeqësimit në aspektin e varfërisë.”
Por, faktor edhe më i rëndësishëm sesa varfëria e papunësia po del të jetë pabarazia e theksuar sociale. Ritja e pagave për qeveritarët dhe kabinetet e tyre ka ngjallur reagime të fuqishme tek pothuajse të gjithë sektorët të tjerë të shoqërisë së varfër kosovare. Greva dyjavore e punëtorëve të sistemit arsimor dhe paralajmërimet e sektorit të nëpunësve civilë janë tregues të qartë të një shpërthimi të përgjithshëm në Kosovë./Fokusi.info/