“Rruga e Kombit” nga sot me pagesë

Qysh nga mesdita e sotme, çdo veturë që do të kalojë në tunelin e Kalimashit, pjesë e “Rrugës së Kombit”, do të paguajë 5 euro.

Por, kjo shumë bëhet 10 euro, nëse rruga bëhet vajtje-ardhje.

Kjo pagesë do të nisë nga ora 12:00 e mesditës së sotme (e diel) dhe do të kryhet në hyrje të tunelit.

Mirëpo, pagesa e sotme do të kryhet vetëm në fazën e testimit dhe nuk do të punojnë të gjashtë sportelet e planifikuara për punë.

Tarifimi me 5 euro për çdo automjet që kalon gjatë ditës së sotme, do të bëhet nga dy sportele në vajtje dhe dy në ardhje.

Paralajmërimet për taksën rrugore në “Rrugën e Kombit”, që përbën projektin më të madh inxhinierik rrugor në historinë e Shqipërisë, janë komentuar në mënyra të ndryshme.
Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, ka bërë të ditur se është i interesuar që sa më parë të definohen gjërat sa i përket autostradave, duke thënë se do të merren parasysh modelet me të mira për zhvillimin e këtij projekti.
Sipas tij, duhet të shikohet mundësia e koncesionimit të taksës rrugore me kushtin që mirëmbajtja e rrugëve të bëhet nga koncesionuesi.

Ndërkaq, ish- kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha ka reaguar ashpër pas vendimit që në “Rrugën e Kombit” ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë të paguhet tarifa prej 5-10 euro (vajtje ardhje).

Ai përmes një shkrimi  në “Facebook” ka theksuar se shteti shqiptar nga kjo rrugë siguron  mbi 300 milionë euro të ardhura në vit. Sipas tij, Edvin Kristaq Rama po i takson kosovarët që udhëtojnë te njëri tjetri.

Postimi i plotë:

“Sot filloi taksa “Edvin”, 5 deri e 10 euro ne rrugen e Kombit!

Duke filluar nga sot, çdo automjet qe do kaloje ne rrugen e Kombit do paguaje taksen “Edvin”; 5 deri ne 10 euro!

Shqiperia nga Rruga e Kombit siguron mbi 300 milione euro te ardhura ne vit. Ne vend qe nje perqindje e tyre te perdoren per mirembajtjen e saj, Edvin Kristaq Rama takson shqiptaret pse udhetojne tek njeri tjetri! Turpi i Kombit! Sb”.

Në bazë të analizave të ekspertëve, nëse autostrada realizon minimumin e trafikut për një aks të këtij niveli, 7 mijë makina në ditë, siguron një të ardhur vjetore rreth 13 milion euro, pa llogaritur tarifat e larta ndaj automjeteve të rënda.