Rrugëtimi dhe sfidat e Kosovës drejt Pavarësisë!

0
585
Shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 ishte kurorëzimi i një rrugëtimi të gjatë, të dhimbshëm, përplot lot, gjak, vuajtje e sakrificë për shqiptarët e Kosovës. Për vite e vite me radhë, deri në qershor të vitit 1999, shqiptarët u masakruan, vranë dhe vuajtën pasojat e spastrimit etnik nga ushtria e Millosheviçit.
Zhvillimet politiko-shoqërore në Kosovë (1989-1999) u shoqëruan me dhunë policoro-ushtarake të Serbisë, deri në vrasje dhe tortura të përditshme të shqiptarëve. Në rrethana të jashtëzakonshme, të shtypjes dhe terrorit të përditshëm lindi edhe një strukturë tjetër, krahas asaj politike – formacioni ushtarak, Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Me kalimin e kohës, pas Marrëveshjes së Dejtonit (1995), UÇK-ja merr përgjegjësinë historike për çlirimin e Kosovës.
Lufta e Ushtrisë Çlirimtare kishte vënë në lëvizje gjithë mekanizmat e fjetur të diplomacisë ndërkombëtare. Qendrave të vendosjes ndërkombëtare, më shumë se një shekull, u kishte mjaftuar vetvetja, duke lënë anash një çështje shumë tragjike që e kishin shkaktuar vetë. Këto qendra nuk brengoseshin për copëtimin e gjeografisë kombëtare të shqiptarëve, si dhe për pushtimin dhe ripushtimin e një pjese të kësaj gjeografie nga fqinjët e shqiptarëve, ngase nuk kishin mundësi të merreshin as vetë shqiptarët.
Pas tragjedisë së madhe në Bosnjë-Hercegovinë, bashkësia ndërkombëtare, në veçanti qendrat e vendosjes, nuk mund të vazhdonin të bënin “sehir” kundrejt zhvillimeve të ngjarjeve në Jugosllavi (Kosovë). Pas operacioneve luftarake midis UÇK-së dhe forcave ushtarake serbe, gjatë vitit 1998, qendrat e vendosjes ndërkombëtare e organizuan Konferencën në Rambuje, fundi i së cilës nuk dha efektin e pritur nga ndërkombëtarët. Paralajmërimi i fundit i ndërkombëtarëve – misioni i Riçard Holbruk-ut nuk e dha rezultatin e pritur për zgjidhje paqësore. Në vend të zgjidhjes diplomatike, qendrave të vendosjes ndërkombëtare u mbeti opcioni i intervenimit ushtarak për të mos lejuar një “Bosnjë të dytë” në Evropë.
Ndryshimi i realitetit historik në Kosovë, përmes luftës çlirimtare, ndikoi në ndryshimin e këtij realiteti edhe në hapësirat e Ballkanit, prandaj, bëri të mundur ndërhyrjen e Aleancës Veriatlantike. Në momentin kur merrej vendimi për ndërhyrjen e NATO-s, qendrat e vendosjes kishin dilemat e tyre, mosmarrëveshjet e tyre, pra edhe kërkimin e efekteve ndikuese të opinionit publik të vendeve të tyre, të cilat ishin shumë të ndryshme.
Pas dështimit të Konferencës së Rambujesë, filluan përgatitjet intensive të NATO-s për fillimin e bombardimeve kundër Serbisë. Kështu, më 24 mars 1999, forcat ajrore të NATO-s filluan sulmet kundër forcave serbe, të cilat zgjatën 78 ditë dhe ndalën spastrimin etnik në Kosovë.
Ndërkohë që prej qershorit të vitit 1999, kur forcat serbe u detyruan të largoheshin nga Kosova, vendi administrohej nga misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara UNMIK dhe institucionet e Përkohshme të Kosovës: Kuvendi, Presidenti dhe Qeveria.  Në vitin 2007, i dërguari special për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, pasi përpiloi nga puna në teren dhe konsultimet e vazhdueshme me të gjitha palët e procesit, dorëzoi propozimin e tij në Prishtinë dhe Beograd që hapte rrugë për pavarësinë e kushtëzuar të Kosovës, hap që çoi drejt krijimit të shtetit të pavarur.  Më pas, u mbajtën disa raunde bisedimesh mes dy kryeqendrave të cilat edhe më tej kishin dallime të mëdha, të mbikëqyrur nga Brukseli, zyrtarë dhe kryeqendrat e shteteve aleate, dhe jo vetëm. Konsultimet dhe planet treguan se Kosova nuk e kishte të largët shpalljen e pavarësisë.
Më 17 shkurt 2008, Kuvendi i Kosovës shpall Kosovën republikë demokratike, laike dhe multietnike, të udhëhequr nga parimet e jodiskriminimit dhe mbrojtës së barabartë sipas ligjit. Përmes kësaj Deklarate, Kosova si Shtet i Pavarur pranon plotësisht obligimet nga Plani i Ahtisarit, në zbatim të plot të obligimeve, përfshirë miratimin prioritar të legjislacionit të përfshirë në Aneksin XII të tij, veçanërisht atë që mbron dhe promovon të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre. Pas shpalljes së Pavarësisë njohje të menjëhershëm erdhën nga shtetet më të fuqishme të botës, si SHBA, Britani e Madhe, Francë, Itali, Turqi, etj., vala e njohjeve ka vazhduar me intensitete te ndryshme. Është e rëndësisë së veçantë politike se njohjen e Republikës së Kosovës e kanë bërë në mënyrë masive shtetet e Bashkimit Evropian. Shtetet që ënde nuk e kanë njohur Pavarësinë e Kosovë, si Spanjë, Greqi, Qipro, Sllovaki, Rumuni janë shtete të cilat kanë probleme të brendshme të cilat frikohen lëvizjeve politike të brendshme. Edhe sot e kësaj dite shtetet të cilat hezitojnë të njohin shtetin e Kosovës janë grupi i shteteve të cilat në konceptet e tyre politike janë kryesisht shtete me sisteme jo-demokratike me probleme të brendshme dhe përket nuk paraqesin arsyetim real të mosnjohjes.
Zyra Civile Ndërkombëtare mori përsipër mbikëqyrjen e zbatimit të pavarësisë. Pak ditë më vonë, një grup vendesh që njohën pavarësinë themeluan Grupin Drejtues që do të mbikëqyrte shtetin e ri.  Plani i Ahtisaarit nuk u zbatua kurrë në veriun e banuar me shumicë serbe, ku edhe më tej nuk njihen dhe nuk pranohen institucionet e shtetit të Kosovës sipas planit dhe Kushtetutës së vendit.  Ndërkohë që faktori ndërkombëtarë në Kosovë vazhdoi të mbetej prezent por më i ‘lehtësuar’ nga vendimet e brendshme për vendin. Më 9 dhjetor 2008, vendin e UNMIK-ut e zuri misioni evropian për sundimin e ligjit -EULEX. Më 22 korrik 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konfirmoi përmes mendimit këshillëdhënës se Pavarësia e Kosovës nuk ka shkelur asnjë nen të Ligjit Ndërkombëtar.  Nga marsi i vitit 2011, Prishtina dhe Beogradi kanë nisur bisedimet në Bruksel për një seri çështjesh, për të cilat ende ka shumë vakume dhe nënshkrime të cilat në realitet tregojnë pak vullnet për zbatime. Edhe pse këto bisedime teknike u pasuan nga ato në nivel kryeministrash e presidentësh, prapë se prapë nuk shihet ndonjë dritë në tunel për zbutjen dhe bashkëpunimin mes dy shteteve fqinje.
Përndryshe, pavarësia e mbikëqyrur e Kosovës u përmbyll më 10 shtator 2012, duke u parë si një mundësi e mirë për integrimin e vendit në mekanizmat ndërkombëtare.
Njëmbëdhjetë vjetori i Pavarësisë së Kosovës, do të thotë kujtimi i sakrificave, ndër më të vështirat që njeh historia e kombeve evropiane. Megjithatë, sfida të shumta do të vazhdojnë të mbeten peng për klasën politike si: ratifikimi i demarkacionit, liberalizimi i vizave, zhvillimi ekonomik, shkalla e lartë e papunësisë, luftimi i krimit dhe korrupsionit, mungesa e investimeve nga jashtë, mungesa e përspektivës, ofrimi i një arsimi cilësor, ofrimin e shërbimeve të mirëfillta shëndetësore etj.
Pas dhënies së mendimit këshilldhënës nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) rreth aktit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, më 9 shtator 2010, miratoi rezolutën e sponsorizuar nga 27 vendet e atëhershme të Bashkimit Evropian dhe Serbia, e cila i hapi rrugë për fillimin e dialogut Kosovë – Serbi, të lehtësuar nga BE. Kjo rezolutë, e miratuar me konsensus nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, përshëndeste mendimin e GJND-së, si dhe e mirëpriste gatishmërinë e Bashkimit Evropian për të lehtësuar procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar se ky proces do të shërbente si faktor i paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon. Ky proces u tha se do të promovojë bashkëpunimin, përmirësoj jetën e qytetarëve dhe do t’i ndihmoj të dyja vendet të arrijnë progres në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian.
Janë arritur një numër i konsiderueshëm i marrëveshjeve, por zbatimi i tyre ka qenë jo i kënaqshëm. Arsyet e moszbatimi të marrëveshjeve kanë qenë të ndryshme, duke filluar nga mungesa e vullnetit politik, e deri te konflikti i përmbajtjes së tyre me rendin kushtetues e juridik të Republikës së Kosovës. Në të njejtën kohë, Serbia ka vazhduar të lobojë dhe pengojë konsolidimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Pavarësisht kësaj, dialogu me Serbinë tashmë është duke hyrë në fazën përfundimtare të tij. Përfshirja direkte e SHBA-së në këtë fazë përfundimtare është e domosdoshme për të siguruar një marrëveshje të pranueshme dhe të zbatueshme për të dyja palët. SHBA-ja e ka bërë të qartë se në një afat të shkurtër kohorë, pret arritjen e një marrëveshje ligjërisht të obligueshme ndërmjet palëve.
Me arritjen eventuale të marrëveshjes përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë përmes ridefinimit të kufijve, çka fiton Kosova?
Kosova fiton mundësinë të merret me problemet jetësore, ekonominë, sundimin e ligjit, luftimin e korrupsionit, arsim, shëndetësi, mirëqenien social; Fiton Kosovën Lindore; Fiton mundësinë për të vendosur për bashkimin me Shqipërinë, apo formën që mund të ketë ky bashkim; Fiton funksionalitetin e shtetit; Fiton sovranitetin e plotë; Fiton paqen e stabilitetin.
Me arritjen eventuale të marrëveshjes përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë përmes ridefinimit të kufijve, çka humb Kosova?
Kosova “humb” të drejtën e vetos së serbëve për ndryshimin e Kushtetutës dhe ligjeve vitale, që e kanë bërë Kosovën shtet jofunksional”; “Humb” mundësinë që të na instalohet asociacioni i komunave serbe në Kosovë; “Humb” mundësitë që vazhdimisht të destabilizohet Kosova nga pjesë që nuk është luajale me të; “Humb” mundësinë që në Kosovë të ketë në vazhdimësi tensione etnike, që mund të çojnë deri në konflikte të izoluara në të ardhmen.
(Editorial nga redaksia e Fokusi.info).