Rudari: Llapjanët s’mashtrohen nga përrallat e Albin Kurtit, i cili qe një javë po jeton në Podujevë

Kandidati i LDK’së për kryetar i komunës së Podujevës Nexhmi Rudari ka treguar se pse llapjanët duhet ta votojnë atë. Tha se prej 10 vjetësh mban pozita në ekzekutiv dhe kjo do t’i ndihmonte për të vazhduar siç tha punët e mira të bëra deri më tani.

Ai tha se dy kundërkandidatët e tij, Shpejtim Bulliqi e Naim Fetahu nuk i njohin hallet e qytetarëve pasi jetojnë në Prishtinë dhe shkojnë atje vetëm në kohë fushatash.

“Jam lindur dhe rritur në Podujeve dhe jetoj këtu për dallim prej dy kundërkandidatëve tjerë që nuk jetojnë në Podujevë, vijnë në Podujevë në kohë fushate, jetojnë në Prishtinë dhe si duket si do të ja bëjnë këta nesër kur nuk ja ujë në Podujevë, kur nuk ka drita…”, tha Rudari në Kanal10.

Rudari ka akuzuar VV’në për shkaktim trazirash, pasi sipas tij po sjellin njerëz nga e gjithë Kosova.

“Unë jam i sigurt që edhe këtë radhë qytetarët llapjanë nuk do të mashtrohen nga fjalë e fjali e përralla të bukura nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje sepse ai qe një javë është banor i Podujevës, ai atje po jeton tash qe një javë, duke u munduar me gjithë stafin e tij, prej gjithë Kosovës…”, tha ai.

“..Nga Mitrovica me në krye Agim Bahtirin sot kanë ardhur, nuk janë vetëm qytetarët llapjanë që kanë shkaktuar atë aksident”, shtoi Rudari.